Arrestohen gjashtë shqiptarë, plaçkitës të bankave zvicerane

54 Lexime

Policia kantonale e Solothurnit në Zvicër, ka arrestuar një bandë gjashtanëtarëshe, e cila në muajin maj të këtij viti, në Breitenbach dhe në Rothrist kishin plaçkitur bankat.
Më 20 maj, rreth orës 03.00 të mëngjesit, banda kishte hyrë në një bankë duke plaçkitur disa dhjetëra mijëra franga zvicerane, ndërsa pas përpjekjeve për ta marrë tërë arkën me vete, ata ishin zbuluar nga banorët e qytetit dhe ishin arratisur.

Pak më shumë fat me arkën, grupi ka pasur dy ditë më vonë, më 22 maj në Rothrist. kur e thyen bankën dhe e marrin me vete një arkë të vogël, e cila ka pasur më pak para se sa e para.

Në të dy rastet, kryerësit e veprës ishin arratisur në drejtime të panjohura dhe pa u vënë re, por nuk u shkoi shumë larg. „Gjatë hetimeve të shumta, policisë zvicerane i shkoi përdore që më në fund t`i identifikojë kryerësit e dy plaçkitjeve“, thuhet në një komunikatë të policisë, të lëshuar gjatë të hënës, transmeton „Shtegu.com“. Pesë nga gjashtë të dyshuarit, ishin arrestuar qysh në muajin maj, në rrethinën e Oltenit.

Një bashkëpunëtor tjetër i tyre ishte larguar për në Shqipëri, por me ndihmën e fletarrestit ndërkombëtar, ai është arrestuar dhe ekstraduar në Zvicër. Pesë nga të dyshuarit janë nga Kosova dhe njëri nga Shqipëria.

Sipas policisë zvicerane, dy nga të dyshuarit kanë qenë me vendbanim në Solothurn, ndërsa katër të tjerët jashtë Zvicrës. Ata janë të moshës në mes 27 dhe 36-vjeçare dhe kryesisht e kanë pranuar veprën e kryer. Njërit nga të dyshuarit akuzohet edhe për dy vjedhje tjera, të kryera gjatë vitit 2010 në rrethinën e Bernës. (Shtegu.com)