Akuzat e pabaza ndaj Kreshnikut e detyrojnë të largohet në Maqedoni
12:53:46 2018-01-23
Tre vitet e fundit për Kreshnik K. kanë qenë gjithçka, por jo magjike. Pas një plaçkitje të armatosur në lokalin e lojërave të fatit „Magic“ në Lugner City të Vjenës në Austri dhe dëshmisë së një të pranishmi në vendngjarje, ai ishte kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Akuzat që e rëndonin: Kreshnik K. dyshohet se i ka nxitur dy persona të dënuar më heret, për sulmin në mars të vitit 2012. Atëbotë, të armatosur me një „Walther p88“ ata plaçkitën 35.565 euro nga një transportues parash. Por, Kreshnik K. me këmbëngulje ka mohuar t`i ketë nxitur në plaçkitje.
Gjatë seancës gjyqësore të përcjellur nga gazeta austriake „Heute“, është parashtruar pyetja, përse i pandehuri së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët ishin zhdukur diku në Maqedoni, në vend se pafajësinë e tij ta shprehë para Gjykatës austriake? „Kisha frikë se askush nuk do të më besonte në tre akuzat e mia dhe u zhyta në panikë duke u fshehur me familjen time“, ka rrëfyer 35-vjeçari.
Gjatë verës, avokati i tij Philipp Wolm ka negocuar me autoritetet austriake për hyrje të tij të lirë në territorin austriak, përcjellë Shtegu.com. „Nuk doja më që gjithnjë të shikoja prapa shpatullave të mia, për tu bindur se askush nuk më ka vërejtur. Nuk jam i vetëdijshëm për ndonjë faj, punoj në Vjenë si montues, këtu luaj futboll dhe e dua qetësinë time“, ka vazhduar më tej Kreshniku.
Nga ana tjetër, avokati Wolm ka pohuar: „Nuk ka edhe ndonjë dëshmi të vetme për fajësinë e mandantit tim. Dëshmitari që e ngarkon është arrtisur nga burgu në Stein dhe që nga shtatori i vitit të kaluar gjendet në arrati. Kjo flet mjaftueshëm për pafajësi. Përpos kësaj, para disa vitesh, Kreshniku është arrestuar duke e përfshirë në akuza të cilat asnjëherë nuk kanë mundur të dëshmohen. Edhe pse nuk ka pasur dëshmi, ndaj tij është lëshuar urdhërarrest“, ka nënvizuar avokati austriak.
Procesi gjyqësor është paraparë të vazhdohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa avokati Wolm është i sigurt se do ta lirojë nga akuzat. (Shtegu.com)