Sami Ademi, dy dekada në shërbim të gazetarisë televizive (FOTO)

160 Lexime

Intervistoi:Reshat IBRAHIMI

Në Maqedoni nuk ka njeri që ndjek sportin dhe nuk e njeh për zërin karakteristik të cilin e ka dhuratë nga Zoti. Mjafton ta përmendësh emrin dhe menjëheër të të thonë: Po, si nuk e njohim, ai është komentatori sportiv, Sami Ademi, njeriu që ia ka dhënë shumë sportit.

20 vite në kabina të komentimeve në studio dhe “live” në ngjarje të ndryshme sportive në vend, Europë dhe Botë, që paraqet një rekord në vete! Komentimet e tij janë aq të mrekullueshme sa që të duket si një shkrimtar.

Sami Ademi, cili dje festoi një jubile-20 vite gazetari televizive, rrëfen për gazetën “Lajm” për fillet e tij në gazetari, për momentet e mira, por edhe të këqija në TVM2, ku vazhdon edhe sot e kësaj dite të komentojë e tjerë.

 

 

Lajm:Si ndodhi të futeni në gazetarinë sportive, ishte rastësi apo…
Ademi: Pas një përvoje bukur të mirë si gazetar i temave dokumentare dhe sociale ku kisha veçuar storiet dhe dokumentaret e ndryshme si: Me getot e Shkupit, Ngjyra Jete, Rrëfime, Dëshmi, Krahu i tregut të thatë, Amra në botën e çorodirave dhe shumë e shume emisione tjera në, atëhere, televizionin e Shkupit, filloi zgjerimi gradual i këtij televizioni i cili sipas njohësve të mirë të rrethanave mediatike në të gjitha trojet shqiptare tv Shkupi është televizioni më i vjetër mbarëshqiptarë në Botë, madje edhe para TVSH-së dhe TVP-së më rastisi të kaloj në pjesën sportive të TV-së e cila do të më përcjellë tash e dy dekada në gazetarinë sportive televizive këtu në Maqedoni.
Nuk ka qenë e rastit sa dëshira e madhe për këtë degë gazetareske të cilën e kam dashur që nga rinia. Ndoshta gjërat e mira dhe interesante vijnë rastësisht dhe spontanisht për të mbetur një jetë të tërë në këtë zhanër gazetaresk! Kështu nisi karriera ime prej gazetari sportiv, paska kaluar shumë shpejtë! Tash po e shoh dhe ndjej!

 

Lajm:A e mbanë në mend kronikën e parë ose komentin e parë?
Ademi: E di se atëherë ishte akoma aktuale Liga e parë e ish-federatës Jugosllave ku pos sporteve tjera kanë dominuar edhe futbolli, e me vete edhe katërshja e madhe për të cilat do s’do kam informuar në çdo ditar! Prishtinen e kam pas të zemrs, mirëpo nuk kan munguar as sportet tjera. Kam qenë i nderuar kur më është dhënë rasti të bëj me transparencë sukseset e sportistëe shqiptarë si të Kampionit Olimpik, Shaban Tërstena, Shaban Sejdiut, Aziz Salihut, Enver Idrizit, Mirdi Limanit e shumë e shumë të tjerëve. Jam ndër gazetaret e parë sportiv shqiptarë në Maqedoni i cili ka pasur nderin të shkruaj apo fol për këto personalitete eminente të botës sportive shqiptare. Fillet e para të gazetarise sportive televizive shqiptare në Maqedoni ia kam kushtuar sporteve luftarake të cilat ne shqiptaret i kemi si fat.

 

Lajm: Cilat momente të mira do t’i kujtoni si të paharrueshme gjatë këtyre 20 viteve?

 

Ademi:Kam pas nje privilegj dhe nder që nuk e ka pas asnjë gazetar tjetër shqiptare televiziv sportiv në Maqedoni. Para një dekade e pak më shumë, nuk e di datën e saktë, televizioni i Maqedonisë i pati blerë të drejtat për të transmetuar drejtpërdrejtë ndeshjet e kampionatit anglez. Kështu që, automatikisht dhe programi në gjuhen shqipe bënte transmetim paralel të ndeshjeve të cilat emetoheshin në TVM1. Më kujtohet si sot, takimi Manchester Junajted-Sauthemtpon ka qenë ndeshja e parë në jetën time gazetareske të cilen e kam komentuar drejtpërdrejt në Servisin Publik në gjuhën shqipe. Ishte një sihariq dhe kënaqësi e cila nuk përshkruhet me fjalë, por vetëm përjetohet! Më pas filluan të radhiten edhe ngjarjet tjera sportive të cilat do t’i komentojnë gazetarët sportiv të programit tonë si mecet e Mirdi Limanit, Nuri Seferit, Enver Idrizit dhe ngjarjet tjera të nivelit më të lartë botërore si Olimpiadat e verës, të dimrit, kampionatet botërore në futboll, Samitet kontinentale në sporte të ndryshme e tjerë e tjerë. Të gjitha këto komentime janë bërë në autorësi të gazetarëve sportiv të TVM2, Denis Shabanit, Mustafa Ademit, Artan Ziberit dhe kuptohet Unë si gazetar më i vjetër në redaksin e sportit.

 

Lajm:Po ndonjë moment që keni qenë në siklet gjatë punës tënde në emisionet “live” ose të ngjashme?

 

Ademi:Pyetje shumë interesante. Bëhet fjalë për takimin historik i cili u zhvillua në Tiranë, në „Qemal Stafa“ mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Greqisë të cilen e fituan „Kuq e zinjtë“ me rezultat 2:1. Ky takim është histori në vete por mua personalisht më ka sjellur shumë siklet dhe telashe. Normalisht, nga ana ime komentimi ka qenë shumë emotiv dhe të nesërmen jam thirrur në zyrat e drejtorisë ku më është thënë: Pse me aq emocione dhe pozicionime për Shqiperinë! Drejtoresha e atehërshme e RTVM-se, Gordana Stoshiq më pat kërcënuar se do të suspendohem nga puna, por, fatlumisht nuk ndodhi një sanksionim i tille dhe çdo gjë përfundoi si është më mirë! E di se pas golit të dytë të cilin e shënoi Alijaj mesi i kam mbajtur lotët dhe t`ua them të drejten ka qenë një moment të cilin nuk e harroj asnjëherë, u mund greku!

 

Lajm: Çka të ka dhuruar në jetë profesioni i gazetarit sportiv?

 

Ademi: Po nga momentet tjera kisha vecuar pjesëmarrjen time të drejtpërdrejtë në Kampionatin Botërore në futboll në vitin 2006 në Gjermani ku kam pas rast të komentoi ‘live’ takimin final mes Italisë dhe Francës të cilin e fituan ‘axuret’ pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 6:5. Ajo finale në ‘Olimpiko’ të Berlinit do të mbahet mend edhe për një segment, kur Zinedin Zidan do të godet me kokë Materacin. Epilogu dihet! Nuk do t`i harroj as LOV ‘Londra 2012’, sidomos hapjen dhe mbylljen solemne ku nga afër i kam parë: ekselencën e saj mbretereshën Elizabete, Edson Arentes De Nasimento Pelen, Poll Makartnin, Viktoria Bekamin me bashkeshortin e saj, kitaristin e Pink Floyd, grupin Quuen, Zhak Rogun, Xhesi Xhop, Emeli Sand, Spajsi Gerlls, Gjorgj Majkell e shumë e shumë tjereë Thjeshtë kjo nuk përshkruhet me fjalë por vetëm përjetohet. Madje, kemi përcjellur edhe shumë e shumë ngjarje tjera sportive të niveleve të ndryshme qoftë brenda vendit, ose jashtë tij.

 

Lajm: Cilët komentator të kanë pëlqyer më shumë?

 

Ademi: Nga komentatorët kam parapëlqyer: Mlladen Delicin (Kroaci), Edo Pecin (Kroaci), Veli Vranicin (Kosovë) dhe Agim Kasapollin (Kosovë).

 

Lajm: Publiku dëshiron të dijë se për cilin klub anon Sami Ademi?

 

Ademi:Jam fans i Barcelones, sepse Barcelona nuk e llogaritë vetën si pjesë territoriale të Spanjes. Ndërkaq, ekipi i zemrës i të të gjitha kohërave është KF PRISHTINA e viteve të 80-ta.

 

Lajm:Sa ekziston kolegialiteti tek gazetarët shqiptarë?

 

Ademi: Sa egziston kolegialiteti tek gazetaret shqiptarë sportiv në Maqedoni ? Pyetje komplekse dhe pak e vështirë! Liria e të shprehurit, liria e informimit dhe liria e metodave janë shtyllat kryesore të demokracisë ndaj të cilave ne gazetarët këtu në Maqedoni mendoj se kemi qasje serioze dhe ju përmabahemi aq sa kemi mundësi dhe na lejojnë rrethanat aktuale! Kolegialiteti është parakusht për punë korrekte, të sinqertë, pa pozicionime dhe të ndershme. Gazetarët sportiv në Maqedoni të mediave elektronike dhe të shkruara duhet të jenë shtylle kryesore e demokracisë. Edhe gazetaria sportive mendoj se ka rol dhe funksion kyç në informimin, debatet dhe komentet kritike për punën që bëjmë. Ka kolegialitet dhe besoj se ky faktor i cili është celës i suksesit mund dhe duhet të jetë më i fuqishëm, në shërbim të opinionit për të cilin edhe egzistojmë. Në konkurrencë lojale dhe konstruktive gazetaria bëhet më vlefshme dhe më interesante!

 

Lajm:Çfarë të prêt në vazhdim të punës tënde?
Ademi: Sivjet kemi dy ngjarje të mëdha sportive të cilat kanë të bëjnë me futbollin ekipor, finalja e Championsit dhe Liga Evropa, Për mua megandodhi sportive sivjet është ndeshja që do te zhvillohet në ‘Elbasan Arena’ në Elbasan me 8 tetor mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë. Mos harroni kjo ndeshje do të ketë peshën e një finaleje të Kampionatit Botëror! Pse? Me pak fjalë do ta argumentoi këtë opinion timin për ndeshjen në fjalë, serbët në Elbasan do te vijnë të motivuar si asnjëherë më parë për shkak të kinse ‘padrejtësisë’ të cilën ua bëri CASI në Lozanë kur kombëtares shqiptare më se me meritë iu dhanë 3 pike pas asaj ksenofobi të paparë në Beograd. Serbët në këtë ndeshje hyjnë pa imperativin e rezultatit të domosdoshëm ngase kanë humbur të gjitha gjasat për plasman në ‘Francë 2016ë’. Shqiptarët janë ata të cilët duhet të ndjekin rezultatin dhe ç’është më me rëndësi të gjithë në Serbi janë të mendimit se në Elbasan do të mbrohet nderi dhe kulti serb që pa dyshim këtë ndeshje e bëjnë të rënde, të paqartë dhe dramatike. Do të jetë aq vështire për të përzgjedhurit e De Biazit sa që nuk përshkruhet me fjalë. Edhe ndeshja e fundit në transfertë kundër Armenisë do të jetë e natyrës së vështirë, madje, shumë të vështire! Kur ke rezultatin domosdo dhe ndjek atë mund të ndodh cdo gjë. Ju garantoj se edhe provokimet nuk do të mungojnë. Ashtu sic jetojnë 7 milionë shqiptarë për këtë takim edhe 5 milion zemra serbe rrahin si një për ndeshjen Shqipëri-Serbi!