Zvicerani kundërshton natyralizimin e kosovarit

58 Lexime

Për shkak të një borxhi të vogël, Komuna Möhlin në Zvicër ia mohon shtetësinë zvicerane një kosovari. Një zviceran kishte deklaruar se për vite të tëra ai i ka mbetur borxh tre këste të qirasë për banesën. Kosovari e ka mohuar akuzën e tillë dhe kërkon debat.

 

 

Ngritja e dorës kishte ardhur shumë papritmas. Gjatë të enjtes, Komuna Möhlin në Zvicër, pa kurrfarë diskutimi e kishte miratuar natyralizimin e 15 shtetasve të huaj, por duke shqyrtuar rastin e kosovarit me emrin e anonimizuar Rasim, ishte paraqitur banori zviceran Urs* për fjalë.

 

 

Kosovari 49-vjeçar, me profesion gjipspunues, atij i kishte borxh tre muaj të qirasë pa paguar, kishte pohuar Ursi. Ngjarja kishte ndodhur tash e 15 vite më herët, që nga koha kur Rasimi me familjen e tij kishte jetuar në shtëpinë e Ursit. Pas largimit nga shtëpia, Rasimi i kishte premtuar se do t`ia paguajë borxhin, të cilin ndoshta edhe do t`ia kompensonte me punë. „Por, ai edhe më kërcënoi“, ka pohuar Ursi për „Aargauer Zeitung“ një ditë pas mbledhjes për natyralizimin e të huajve , njofton „Shtegu.com“.

 

 

Ursi nuk kishte dashur të bëjë detyrim gjyqësor apo ta padisë. Por, kur disa vite më vonë e kishte hetuar se Rasimi dëshiron të bëhet shtetas zviceran, ai kundërshton. „Ndokush i cili kërcënon të tjerët, nuk ka të drejtë të bëhet zviceran“, thotë me bindje Ursi.

 

 

Nga ana tjetër, kosovari i ka mohuar që të dy akuzat: Se e ka kërcënuar qiradhënësin e tij dhe se atij i ka borxh. Ai e kishte ndihmuar Ursin që ta rinovojë banesën, në të cilën më pas ishte vendosur djali i tij. Me këtë rast, zvicerani ia kishte kompensuar tre muajt e pagesës për punën e bërë. „Po që se i kam mbetur borxh, natyrisht se do t`ia kthej menjëherë“.

 

 

Gjatë takimit, kryetari i komunës, Fredy Böni ka deklaruar se kërkesën e Rasimit për shtetësi e kishte shqyrtuar seriozisht, njësoj si kërkesat e tjera. Për Rasimin nuk ekzistojnë detyrime ose kallëzime penale gjyqësore, si dhe ndonjë lajmërim negativ ndaj prindit të trefishtë kosovar. Por edhe në lajmërimin publik të aplikimit të Rasimit, askush nuk ishte paraqitur për ta kundërshtuar. Bile as edhe Ursi. „Nuk e kam parë kërkesën e tij“, ka deklaruar për gazetën zvicerane ai.

 

 

Vota e Ursit të së enjtes, ka mjaftuar që ta përmbysë kërkesën e Rasimit: Parashtresa e Rasimit u refuzua me 101:64 vota kundër. Ai mund të ankohet në qeverinë komunale, por ende nuk dihet nëse ai do të ndërmerr një hap të tillë, pasi fillimisht dëshiron të bisedojë me Ursin.

 

 

Mbetet e paqartë se si do të përfundojë zgjidhja, por shumica e politikanëve lokalë mendojnë se vetëm dialogu reciprok i Rasimit me Ursin mund ta vendosë çështjen. Është interesant të përmendet edhe fakti se ditën e njëjtë, që të tre fëmijët e Rasimit u natyralzuan pa kurrfarë problemi.