Gjashtë persona nga Kosova ishin pjesëmarrës të një grindjeje, mbrëmjen e së martës në një kantier ndërtimi në Hartkirchen (rrethi Eferding). Ata u gjuajtën me gurë dhe fshesa me njëri-tjetrën, ndërsa në këtë zënkë ishte përdorur edhe një thikë. Tre persona pësuan goditje dhe prerje të ndryshme, shkruajnë mediat austriake, përcjell Shtegu.com.
Policia austriake ndërhyri me disa patrulla për të ndarë pjesëmarrësit. Incidenti ndodhi menjëherë pas orës 17.30 pasdite, në rrugën “Pfarrgasse” në Komunën Hartkirchen me rreth 4000 banorë. Katër persona është dashur të pranohen në Klinikën Wels. Tre u arrestuan, përfshirë sulmuesin, një burrë 46-vjeçar nga rrethi Eferding. Ka të ngjarë që motivi i grindjes të jetë disa probleme të mëhershme familjare.
Tashmë, mediat austriake shkruajnë se armiqësia e familjeve ka vazhduar edhe në klinikën ku po kurohen të plagosurit. Sipas policisë, në klinikë janë shfaqur disa persona të cilët kanë dashur ta «sqarojnë» situatën.
„Çmenduri që diçka e tillë të ndodh në Hartkirchen“, tha kryebashkiaku Wolfram Moshammer i tronditur: „Nuk e prisnim ndonjë ngjarje si kjo, në një komunë të qetë si kjo e jona“. Të gjithë pjesëmarrësit janë duke u kuruar në këtë klinikë, ku policia është dashur të intervenojë disa herë. Motivi i mosmarrëveshjes është një grindje familjare shumëvjeçare.

