Vazhdojnë hetimet në errësirë të vrasjes së kosovarit
Gjithçka ndodhi para më shumë se 12 vite: Në Altisbergwald afër Kräiligenit BE, një kalimtare e rastit e kishte gjetur kufomën e Imri Xheladinit të vrarë 35-vjeçar! Prindin e trefishtë kosovar e kishin vrarë nga prapa, në shpinë, ndërsa deri më tani ende nuk është gjetur kryerësi i krimit. Policia zvicerane ka intervistuar mbi njëqind persona nga rrethi i të njohurve të të vrarit, por pa sukses. Që nga viti i kaluar, policia ka paraparë një shpërblim prej 10.000 frangash zvicerane për informata lidhur me vrasësin. Tashmë është më se e sigurt se një ditë para vrasjes, rreth orës 16.30, ai ka qenë në Picerinë „Deniz“ në Derendingen të Kantonit të Solothurnit. „E di se atë ditë, Imriu kishte shumë të holla me vete“, ka rrëfyer ish partneri i tij i punës, pensionisti Max Hürzeler (78), „të hollat për punëtorët e tij“. Ai është i sigurt: „Viktima e ka njohur vrasësin dhe ky i fundit e ka ditur se ka me vete shumë të holla. Unë dyshoj në një person dhe këtë ia kam treguar edhe policsë, më tepër nuk dua të them asgjë“, kishte deklaruar kohë më parë pensionisti. Lidhur me zhvillimet e fundit, policia zvicerane për „Shtegu.com“ ka pohuar se hetimet janë ende në rrjedhë e sipër dhe se për shkak të ndjeshmërisë së hetimit, nuk mund të japë informata më të hollësishme.