Të shtëna para një xhamie në Francë, dy të plagosur
08:45:18 2019-06-28
Para një xhamie në Brest të Francës, janë dëgjuar të shtëna armësh. Sipas informatave të fundit, autori i të shtënave ka vdekur.
Një person i armatosur që ishte ende në arrati, ka hapur zjarr para një xhamie në Brest, në drejtim të personave që po dilnin nga xhamia.
Menjëherë pas orës 16.00, të shtënat ishin dëgjuar në lagjen Pontanezen. Njëri nga të plagosurit dyshohet të jetë një imam, shkruajnë mediat franceze, përcjell Shtegu.com.
Sipas burimeve zyrtare, të plagosurit nuk gjenden në rrezik për jetë. Ata janë me vetëdije të plotë, pasi njëri është plagosur në këmbë, ndërsa tjetri në bark.
Sipas lajmeve të fundit, autori dyshohet të ketë vdekur. Në ndërkohë, autoritetet e kanë identifikuar autorin. Motivet mbeten ende të panjohura, ka deklaruar prokurori Jean-Philippe Recappe. Ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
Sipas informatave, ai ishte arratisur me një veturë të vogël, e cila më vonë nga hetuesit u gjet e zbrazët.
Pas incidentit, prokurori i Parisit njoftoi se ata ishin në kontakt me prokurorin e Brestit për shkak të një sfondi të mundshëm terrorist.
Ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, konfirmoi nëpërmjet Tëitter se kishte kërkuar „të përforcoheshin rojet ndaj varrezave“.
Të plagosurit janë përkudjesur nga njësia zjarrfikëse.