Të huajt në Zvicër heqin dorë nga ndihmat sociale, pasi u rrezikohet lejeqëndrimi

87 Lexime

Nëse të huajt varen nga ndihma sociale, ata mund ta humbasin lejeqëndrimin. Kjo është arsyeja përse shumica heqin dorë nga ofrimi i ndihmës – edhe nëse preken nga kriza e koronavirusit. Nga kantonet, Sekretariati shtetëror zviceran për migrim tani kërkon vullnet të mirë

Emilia Cortez (emër i ndryshuar) banon në Cyrih dhe në Zvicër jeton tashmë pesë vite me radhë. Ajo ka pasaportën italiane, një lejeqëndrimi B dhe punon si një pastruese e pavarur. Ajo themeloi një firmë personale, të regjistruar në regjistrin tregtar dhe pastron apartamente dhe shtëpitë e mbi 30 klientëve – kryesisht në zonën „Goldküste“ të Cyrihut dhe në Seefeld.

Në fillim ajo ishte e lumtur që nuk ishte prekur nga ndalimi i punës së saj dhe mund të vazhdonte të punonte edhe pas 16 marsit. Por gradualisht klientët hoqën dorë nga ajo. Shumica e tyre nuk donin të kishin një të huaj në shtëpi. Të tjerët ishin në karantinë. „Për shkak se shkoj nga klienti te klienti, sigurisht që jam llogaritur si përçues i infektimit“, thotë Cortez. Kështu që ajo tani praktikisht nuk ka të ardhura. Klientë individualë vazhdojnë t’ia paguajnë orët që i ka punuar. „Kjo më mban mezi gjallë“.

Meqenëse punëtorët e pastrimit nuk preken drejtpërdrejt nga masat e koronavirusit të qeverisë federale, ata nuk mund të kërkojnë kompensim për punë si njerëzit e tjerë të vetëpunësuar. Ata ose mund të aplikojnë për ndonjë kredi pa interes ose të shkojnë në entin social. “Huamarrja e parave nuk është një mundësi për mua. E di që nuk mund ta paguaj atë“, thotë Cortez. Përderisa koha dhe paratë filluan të bëjnë presion për te dhe tri vajzat e saj, ajo e informoi entin social. „Ata më këshilluan që të mos aplikoja për ndihmë sociale tani. Kjo do të ishte një thikë me dy tehe».

Që prej vitit 2019, zyra e mirëqenies sociale ka qenë e detyruar të raportojë në zyrën e migracionit për personat që marrin ndihma sociale. Sipas Ligjit për të huajt dhe integrimin, të huajve mund t`u tërhiqet lejeqëndrimi po që se personi varet nga ndihma sociale. «Nuk dua ta rrezikoj këtë. Kam ndërtuar me përpikëri tërë ekzistencën time këtu në Zvicër“, thotë Cortez.

Pra, pastruesja e vetëpunësuar ende është duke pritur për masa federale. „Por çdo ditë është një luftë“. Për javë të tëra ata vuajnë nga netët pa gjumë dhe sulmet e panikut. «Familja ime dhe unë thjesht mezi po e përballojmë këtë situatë. Tani bëhet fjalë për ekzistencën tonë». Ajo tashmë ka filluar të mbjell perime në ballkonin e saj. „Kush e di se sa do të zgjasë.“

Situata e Cortez nuk është e izoluar, pasi shumë të huaj aktualisht po ndjehen në të njëjtën mënyrë. „Ky është qartë një problem në krizën aktuale“, konfirmon Markus Kaufmann nga Konferenca Zvicerane për Ndihmë Sociale. Prandaj duhet rekomanduar kantoneve që të marrin parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe për momentin të interpretojnë me bujari dispozitat përkatëse të Ligjit për shtetasit e huaj në favor të të prekurve. «Përndryshe shkaktohet rreziku që shumica nuk guxojnë të kërkojnë ndihmë sociale. Pasojat do të ishin edhe më të mëdha“, thotë Kaufmann për „Der Bund“, transmeton Shtegu.com. Nëse nuk keni nevojë të merrni ndihmë sociale afatgjate dhe të madhe, Kaufmann rekomandon të shkohet në zyrën e mirëqenies sociale megjithë efektet e mundshme të lejeqëndrimit.
Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) kërkon gjithashtu vullnet të mirë nga kantonet. „Ne u rekomandojmë kantoneve të marrin parasysh këto rrethana të jashtëzakonshme dhe të sigurohen që të prekurit të mos pësojnë disavantazhe prej tyre“, shkruan SEM për gazetën „Der Bund“. Kjo vlen edhe për vlerësimin e përfitimeve të sigurimeve shoqërore dhe pyetjes nëse kjo është vetëm për shkak të krizës së koronavirusit.

Pastruesja nga Cyrihu është skeptike. Ajo kurrë nuk ka dëgjuar për këtë dhe është e shqetësuar se duhet të përballet me pasojat përkundër këtyre rekomandimeve. Punonjësja e vetëpunësuar e pastrimit nuk ka zgjidhje tjetër përveç të shpresojë se Këshilli Federal së shpejti do të përshtatë rregulloren për të vetëpunësuarit.