TAHIRI: BDI TA KUPTOJË SE NUK ËSHTË KOHA E XHAXHIT ENVER

39 Lexime

19:19:58            2016-09-01

 

 

 

 

Përzgjedhja e anëtarit të pestë të trupit Ad Hoc, është produkt i rrethanave politike, një gjë e tillë dëshmoi se BDI dhe lideri i saj, vazhdon të mendojë se edhe më tej se është koha e Enver Hoxhës. Kështu vlerësoi ish kandidati për këtë post, Sefer Tahiri. Ai tha se  gjë e tillë po dëshmon se BDI, është në bisht të kësaj Qeverie dhe se nuk është asgjë tjetër përveç një shërbëtor i vyer i Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij VMRO-DPMNE, raporton SHENJA.

“Zoti Ahmeti, duhet ta ketë të qartë se koha e xhaxhit Enver Hoxha ka përfunduar, dhe kjo kohë duhet të ndryshoj dhe unë vlerësoj se  pas 11 dhjetorit ne do të kemi kohë tjetër. Nuk do ta kemi më kohën e Enveristëve dhe njerëzve aparaçikë të mëdhenj apo të vegjël, të cilët shohin biografinë personale me dioptrinë partiake dhe politike, dhe do të kemi një kohë tjetër kur në shprehje do të vijnë vlerat profesionale, sepse BDI-ja, me vendimin për mosmbështetjen e kandidaturës time, dëshmoi se vazhdon të jetë vazale e VMRO-DPMNE-së.”, ka deklaruar Sefer tahiri, gazetar.

Tahiri tha se mos përzgjedhja e tij si anëtar të pestë të këtij trupi, është zbatim i urdhërit të Gruevskit, vetëm për të mbrojtur disa persona të caktuar.

“Ajo vetëm ka zbatuar një urdhër të Nikolla Gruevskit, që unë mos të jem anëtar I pestë I komisionit, vetëm për ti mbrojtur Llatasin, Milenko Nedelkovskin, Jadi Burekun, Mirka Velinovskën, për ta mbrojtur Sllobodan Tomiçin, e shumë e shkum “iça” apo “ovska” të tjerë, të cilët vazhdojnë me paratë e qytetarëve nga buxheti shtetëror të fyejnë, të hudhin vrer ndaj shqiptarëve dhe BDI këtë e ka lejuar me paratë e buxhetit. “, tha më tej ai.

Sefer Tahiri ishte njëri nga 11 kandidatët për të qenë anëtar i Trupit Ad Hoc për monitorimin e mediave, madje ai ishte në garë të ngushtë me kandidatin tjetër Daut Dauti. Ky i fundit dy ditë më parë e tërhoqi kandidaturën e tij me qëllim që të mos jetë pengesë për të gjithë procesin, pas çka Tahiri mbeti kandidati i vetëm në garë. Megjithatë trupi Ad Hoc, nuk arriti konsensus dhe obligimin për përzgjedhjen e këtij anëtari e lanë në dorë të liderëve politik. Liderët politik, e përzgjodhën Lulzim Hazirin si anëtar të përshtatshëm në këtë trup, edhe pse ai paraprakisht nuk kishte dorëzuar kandidaturë për këtë post. (SHENJA)