Edhe pse me sa duket nuk kishin prova, klubet shqiptare pretenduan se një burrë mund të luante në një ekip të ligës së grave. Tani federata po reagon, por jo për të mbrojtur lojtaren braziliane në fjalë
Federata Shqiptare e Volejbollit ka pezulluar një lojtare nga një prej klubeve të saj pasi ekipet rivale ngritën dyshime për gjininë e saj, pa ofruar asnjë provë. Kjo u raportua nga agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar intervista me lojtaren, klubin e saj dhe dokumente që ajo zotëron.
Nayara Ferreira luan për Dinamon, aktualisht e dyta në ligën e volejbollit të grave në Shqipëri, shkruan gazeta gjermane „Spiegel“. Që nga tetori, brazilianja 32-vjeçare ka humbur disa ndeshje pasi federata i urdhëroi asaj t’i nënshtrohej një testi gjinor në një laborator specifik për të vërtetuar se është grua.
„Bota ime është shembur“, tha Ferreira. „Askush nuk e ka vënë në dyshim gjininë time më parë“. Ajo refuzoi urdhrin e federatës dhe u pezullua. Sipas deklaratës së saj, ajo iu nënshtrua vullnetarisht testeve në një klinikë tjetër për të vërtetuar gjininë e saj për klubin e saj. Rezultatet priten në ditët në vijim.
Pezullimi erdhi pas ankesave nga klubet Vllaznia dhe Pogradeci, të cilat pretenduan se Ferreira mund të jetë mashkull ose të përdorë hormone që rrisin performancën, transmeton portali Shtegu. Sipas Reuters, as federata dhe as klubet nuk kanë dhënë ndonjë provë për këto akuza. Ferreira dhe klubi i saj pohojnë se akuzat janë të pabaza. Një përfaqësues i Pogradecit nuk pranoi të komentojë për agjencinë e lajmeve, dhe Vllaznia nuk mund të kontaktohej për koment.
Federata Shqiptare e Volejbollit gjithashtu thuhet se nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Në një letër të datës 6 tetor, të parë nga Reuters, ajo informoi Dinamon se testet ishin planifikuar „për të verifikuar aftësitë fizike natyrore të lojtares dhe për të përcaktuar gjininë e saj“.
Federata Ndërkombëtare e Volejbollit, e cila rregullon sportin në të gjithë botën, deklaroi se ishte në dijeni të rastit dhe ishte në kontakt me lojtaren dhe federatën shqiptare. Federatat kombëtare janë përgjegjëse për zbatimin e rregullave të tyre të pjesëmarrjes në garat kombëtare, shtoi federata.
Ferreira jeton në Shqipëri për rreth dy muaj. Ajo më parë ka luajtur në Arabinë Saudite dhe vende të tjera evropiane. Ajo raporton se ndihet e pasigurt që kur akuzat u shfaqën në media. „Sa herë që dal në rrugë, kam frikë se diçka mund të ndodhë“, tha ajo.
Trajneri Orlando Koja dhe shoqet e ekipit të Ferreirës kanë frikë se pezullimi do të ndikojë negativisht në shanset e tyre për të fituar kampionatin. Ata gjithashtu shohin efekte negative tek gratë e reja në Shqipëri që aspirojnë një karrierë sportive.

