Skandali i Artan Grubit depërton edhe në mediat gjermane
Artan Grubi akuzohet se ka përvetësuar më shumë se tetë milionë euro. Tani mësohet se ai ka ikur në Kosovë
Autoritetet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut kanë ngritur kallëzim penal për korrupsion kundër ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Grubi akuzohet se ka përvetësuar më shumë se tetë milionë euro në lidhje me blerjet për lotarinë shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Sipas mediave lokale, autoritetet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut po hetojnë edhe ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski për përfshirjen e tij të mundshme në të njëjtin rast.
“Si dikush që ia ka kushtuar jetën publike mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që ka mbështetur gjithmonë anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, ky vendim (akuza penale kundër tij, shënimi i redaktorit) më prek shumë ”, shkruan Grubi në rrjetet sociale.
Grubi njoftoi gjithashtu se ishte në Kosovën fqinje “për arsye private”. Grubi vazhdoi se synonte të kthehej në Maqedoninë e Veriut, shkruan në një artikull gazeta gjermane „TAZ“.
Në mediat e Maqedonisë së Veriut, megjithatë, thuhet se Artan Grubi ka ikur në Kosovë – me një veturë me targa diplomatike që drejtohej nga konsulli i nderit i Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Një gjë është e sigurt: Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit e futi Grubin në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tij në raste të rënda korrupsioni në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtën kohë, atij iu ndalua hyrja në SHBA.
Politikanët e Maqedonisë së Veriut në listën e zezë të SHBA
47-vjeçari Grubi është pjesë e kryesisë së partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Shqiptarët etnikë përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë në vendin ballkanik, i cili ka pothuajse dy milionë banorë. Ata jetojnë kryesisht në perëndim dhe veri të vendit. Grubi ishte zëvendëskryeministër i vendit nga gushti 2020 deri në qershor 2024 në koalicionin e atëhershëm qeveritar midis Partisë Socialdemokrate (LSDM) dhe BDI-së.
Koalicioni qeverisës i LSDM-së dhe BDI-së u votua në maj të këtij viti. Që atëherë, një koalicion tre-partiak ka qeverisur Shkupin: nacional konservatore VMRO-DPMNE, aleanca e partisë shqiptare VLEN dhe partia e re e vogël ZNAM nën kyeministrin dhe liderin e i VMRO, Hristijan Mickoski.
Policia e Maqedonisë së Veriut nisi operacione të gjera javën e kaluar për të arrestuar ish-zyrtarët e lartë të qeverisë së vendit të akuzuar për korrupsion. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski (VMRO-DPMNE) akuzoi qeverinë e mëparshme si „të korruptuar“. Ish-zyrtarët e qeverisë “duhet të sillen para drejtësisë për veprimet e tyre”, tha Mickoski.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka vënë në dukje në të gjitha raportet e tij të fundit për Maqedoninë e Veriut se korrupsioni në vend ka arritur nivele shpërthyese, transmeton portali Shtegu. Përveç Grubit, ata kanë futur në listën e tyre të zezë nëntë politikanë dhe biznesmenë në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu ish-shefi i inteligjencës në listën e zezë
Këtu përfshihen ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski, ish-shefi i inteligjencës Sasho Mijalkov dhe dy biznesmenë të njohur. Në mars të këtij viti, listës iu shtua edhe ish-kryetarja e Prokurorisë Speciale të Maqedonisë së Veriut, tashmë të zhdukur, Katica Janeva.
Gjithashtu sipas OJQ-së Transparency International, korrupsioni i perceptuar në Maqedoninë e Veriut është mjaft i lartë në krahasim me vendet e tjera. Me një rezultat prej 42 nga 100 (zero pikë do të thotë „plotësisht i korruptuar“, 100 pikë do të thotë „plotësisht i pastër“, shënimi i redaktorit), vendi zë vendin e 76-të – pas vendeve si Gana, Senegali, Bahreini dhe Kuba. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga viti 2020. Maqedonia e Veriut është kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) që nga 15 dhjetori 2005.