Sindikalisti italian që ndihmoi me qindra familje shqiptare në Zvicër

151 Lexime

E takuam ne një organizatë, çfarë, nëse jo humanitare, në një lagje të Bernës. Mu ashtu si e ka shpirtin, i lindur për t`u ndihmuar të tjerëve pa marr parasysh çmimin. Rrallëkujt nga mërgimtarët e viteve të 90-ta në Kantonin e Bernës, që nuk i kujtohet sindikalisti i atëhershëm italian, Gianfranco Martina.

Ishin kohë të vështira për shqiptarët nga të gjitha trojet, pasi ndiqeshin në çdo hap nga represioni i atëhershëm jugosllav. Nga ana tjetër, Zvicra po përpilonte masa të reja të parandalimit të kontigjentit nga ish Jugosllavia. Fuqia punëtore në ndërtimtari, por edhe gjetiu, po përjetonte një periudhë të vështirë të këtyre masave, të cilatz do të hynin në fuqi rreth vitit 1993.

Bëhej fjalë për stinorët të cilët për arsye të caktuara nuk i plotësonin kushte për pajisje me lejeqëndrim në Zvicër, të njohur si Viza B. Sindikata e atëhershme për ndërtimtari dhe industri GBI, kishte të punësuar Giafrancon, i cili më së miri e përjetoi situatën e vështirë të shqiptarëve.

“Nuk e di përse, por e kuptova menjëherë se kam të bëj me një popull të vuajtur të cilit i bëhen shumë padrejtësi. Më kujtohet shumë mirë ajo periudhë, pasi isha në pikën kulminante të punës. Bile, punoja edhe të shtunave e të hëneve megjithëse e kisha të lirë. Shumicës së stinorëve u kërcënohej anulimi i stinëve pasi nuk po i plotësonin kushtet e nevojshme, ndërsa Ligji për ndërprerjen e kontigjentit nga ish Jugosllavia në vitin 1993, gjithnjë e më shumë po afrohej. Për fat të mirë, isha në gjendje të gjej disa margjina në këtë ligj dhe arrita të rregulloj me qindra lejeqëndrime për shqiptarët”, pohon enkas për Shtegu.com, Gianfranco Martina, i cili ende e ka po të njëjtin qëndrim ndaj shqiptarëve.

“Jeni një popull shumë mirënjohës, pasi shumë shqiptarë kur më takojnë më përshëndesin në shenjë mirënjohjeje për ndihën socio-juridike që ua ofroja”, vazhdon Gianfranco.

Ai më tej, me plot krenari rrëfen se nga muaji shtator do ta vizitojë edhe Shqipërinë për disa ditë. Për momentin, ai është udhëheqës i një reparti në këtë organizatë, e cila është mobilizuar që biçikletat e përdorura nga zviceranët, të riparohen dhe të dërgohen për përdorim në Kontinentin e Afrikës. Padyshim, një veprim humanitar që u bie ndërmend vetëm zviceranëve, në mesin e të cilëve është edhe Gianfranco Martina, miku i mirë i shqiptarëve.