Shqiptarët në Austrinë e Ulët me gjasa të mira për t`u zgjedhur si asambleistë

189 Lexime

Më 26 janar 2025, në Austrinë e Ulët (Niederösterreich) do të mbahen zgjedhjet lokale me ç`rast do të kandidojnë edhe shumë shqiptarë, Shqiptarët në Austri, tashmë disa vite kanë filluar përfshirjen e tyre në skenën politike, duke marrë pozita të ndryshme në nivele lokale dhe duke përfaqësuar komunitetin e tyre në institucione publike

 

Në asamble të ndryshme komunale nëpër Austri ka një përfshirje të gjerë të shqiptarëve, të cilët janë pjesë e partive të ndryshme si: ÖVP, SPÖ, Die Grünen, etj. Sidoqoftë, sfida më e madhe mbetet pjesëmarrja e ulët e votuesve shqiptarë, një pengesë që ata kërkojnë ta tejkalojnë për të pasur një ndikim më të fuqishëm në të ardhmen politike të vendit ku jetojnë.

 

Kandidatët shqiptarë nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë), kanë kërkuar nga shqiptarët që të dalin të votojnë, sepse sipas tyre, vetëm kështu mund të ndihmohet komuniteti.

 

Dy vëllezërit nga Kosova Bislim dhe Nisret Bujari nga fshati Duhël i Suharekës do të garojnë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në Austrinë e Ulët, më 26 janar 2025.

 

 

Bislim Bujari, Traiskirchen

 

Për herë ta parë do të garojë Bislim Bujari, për një mandat si asambleist, në qytetin e Traiskirchenit me numrin 5.

 

 

Nisret Bujari, Baden

 

Për mandatin e dytë si asambleist në Baden, do të garojë Nisret Bujari, një emër i njohur tashmë në arenën politike austriake, i cili gjatë mandatit të tij 5-vjeçar, ka treguar një angazhim të madh për komunitetin dhe ka realizuar projekte të rëndësishme. Ai do të garojë në listën me numrin 18.

 

Nisret Bujari është një figurë e njohur në komunitetin shqiptar në Austri, veçanërisht në qytetin e Badenit, ku jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij si pronar i kompanisë “Bujari”. Ai u bë pjesë e ÖVP-së qysh në vitin 2015, kurse që nga viti 2020 fitoi besimin e qytetarëve të Badenit për t´i përfaqësuar në asamblenë komunale.

 

Bujari ka thënë se Austria ka një sistem demokratik nga i cili përfitojnë të gjithë, mirëpo, përfaqësimi nga një shqiptar është i domosdoshëm, për të arritur pastaj një përfaqësim politik në nivelin e lartë, sikurse është ai në parlamentin austriak. Andaj, ai iu bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin në votim.

 

“Ka ardhur koha dhe është e mundur që në parlamentin austriak të ketë një ulëse edhe për një shqiptar. Ulëset fitohen duke u organizuar si komunitet dhe duke e përkrahur kandidatin shqiptar për deputet”, është shprehur Bujari.

 

Megjithëse nuk ka kandiduar kësaj radhe për deputet, Bujari nuk e përjashton një mundësi të tillë në të ardhmen. Angazhimi dhe vizioni i tij për të sjellë një përfaqësim shqiptar në parlamentin austriak e bën atë një figurë të rëndësishme në zhvillimin politik të diasporës shqiptare në këtë vend.

 

Përndryshe, Nisreti është edhe asambleist europian dhe anëtar i odës ekonomike.

 

 

Setki Ibraimi, Stockerau, ÖVP

 

Setki Ibraimi është nga Tetova. Ai jeton dhe vepron në Austri. Ibraimi është një aktivist i dalluar shqiptar në Austri, kurse prej dy mandatesh është asamblist në komunën Stockerau në kuadër të Partisë Popullore në Austri (ÖVP).

 

Setkiu nuk heziton në asnjë moment që të ndihmojë bashkatdhetarët sa u përket problemeve të ndryshmë që i tangojnë ata. Problemet me të cilat ballafaqohen ata janë lehtësimi i kushteve të çështjes banesore dhe lejeqëndrimi në vend, punësimi i tyre, përmirësimi i standardit jetësor të tyre etj. Me fjalë të tjera, Setkiu u vjen në ndihmë bashkatdhetarëve tanë që të mund të integrohen në shoqërinë austriake si është më së miri.

 

Synimet e Setkiut nuk përfundojnë me kaq, ai dëshiron të vazhdojë t`i përfaqësojë edhe më tej shqiptarët në Austri me dinjitet dhe do të përpiqet të ngjitet edhe më lartë në skenën politike.

 

Setki Ibraimi mban titullin “Ambasador për Integrimin e të Huajve në Republikën e Austrisë”, duke përfaqësuar interesat e të huajve dhe punuar për mundësi më të mira integrimi në shoqërinë austriake. Ai është një mbështetës i vazhdueshëm i krijimit të një shoqërie të hapur, demokratike dhe të bashkuar, ku të gjithë qytetarët mund të kontribuojnë dhe të përfitojnë të drejtat e tyre.

 

Ai tani kandidon për mandatin e tretë si Asambleist në Partinë Popullore (ÖVP), në listën zgjedhore me numër 8.

 

 

Besart Berisha, Amstetten

 

Besart Berisha do të kandidojë në zgjedhjet lokale në Komunën Amstetten, ndërsa motoja e tij është „Për një komunitet të fortë dhe të denjë për të ardhmen!“. Besarti do të garojë në listën me numrin 26.

 

Ronald Luigj Kokollari, Langenzersdorf

 

Edhe për Langenzersdorf për herë të parë kandidon biznesmeni i suksesshwm Ronald Luigj Kokollari, nënkryetar i PSHDK-Austri, në listën me numrin 30.

 

 

Halil Alija nga ekipi „Bürgermeisterteam Klaus Schneeberger“, shkruan:

 

Me shumë kënaqësi dua të ju njoftoj se me datën 26.01.2025 do të kandidoj në zgjedhjet e këshillit komunal në Bürgermeisterteam Klaus Schneeberger

 

Do të vlerësoja votat tuaja preferenciale për vendin e dëgjimit #3️⃣. Tashmë i falënderoj të gjithë ata që do të më japin besimin e tyre!

 

Halili do të garojë në listën me numrin 3.

 

Shefqet Balaj, Horn

 

Nga Strellci i Deçanit, në Asamblenë e Komunës Horn të Austrisë

 

“Të angazhohemi sa më shumë në politikë dhe në të gjitha sferat. Kështu jemi të integruar, por jo të asimiluar”.

 

 

Gazmend Morina, Melk

 

Një zë shqiptar në komunën e Melkit në Austri.

 

Gazmend Morina nga fshati Dejnë kandidat për Asambleist në komunën e Melkit në zgjedhjet komunale që do të mbahen në Austri me datë 26.01.2025