Në vend se këtë verë, ndërtimi i dy kilometrave të para prej gjithsej 13 kilometra për autostradën Shkup- Bllacë, pritet të ndërtohen në tremujorin e fundit të vitit. Ndonëse ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugarevski që në muajin maj paralajmëroi se tenderi për zgjedhjen e realizuesit do të shpallet në qershor, ndërsa ndërtimi do të fillojë në fund të verës, nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore thonë se tenderi do të shpallet madje në muajin korrik.
Tenderi i punëve ndërtimore presim të shpallet gjatë korrikut 2019. Projekti themelor është i gatshëm dhe pritet raport pozitiv nga revizioni, që më pas të shpallet tenderi bashkë me specifikacionin teknik. Nëse procedura për zgjedhjen e realizuesit dështon, presim punët ndërtimore të fillojnë në tremujorin e fundit të vitit 2019”. – deklaruan nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore
Ministri Sugarevski para një muaji e gjysmë, më 18 maj në një deklaratë për Alsat tha se kilometrat e para të kësaj rrugë që është kërkesë e kamotshme e komunitetit të biznesit do fillojnë të ndërtohen më së voni në gusht.
Për momentin presim këto ditë të arrijë projekti që përgatitet për autostradën Shkup-Bllacë dhe presim në qershor të shpallet tenderi. Tenderi për mbikëqyrje është gati, ndërsa tenderi për realizues menjëherë do të shpallet. Ato janë me afate më të gjata dhe presim në korrik ose gusht realizuesi të fillojë me ndërtimin e kilometrave të para të autostradës Shkup-Bllacë”. – theksoi Goran Sugarevski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve
10 kilometrat e mbetura nëse përfundon projekti në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të fillojnë të ndërtohen sezonin e ardhshëm ndërtimor.
Për momentin ka filluar projektimi i pjesës së dytë të autostradës- Vendkalimi kufitar Bllacë deri te unaza Stenkovc në gjatësi prej rreth 10.5 kilometrave. Pritet projekti të jetë gati në tremujorin e parë të vitit 2020, ndërsa tenderi sipas procedurave të BERZH-it me para-kualifikimin, gjithashtu, të shpallet më së voni deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2020”. – u shprehën nga Ndërmarrja Publike e Rrugëve Shtetërore
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, verën e kaluar premtoi se këtë pranverë do të fillojë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë. Sipas paralajmërimeve të Qeverisë plani për ndërtimin e kësaj rrugë realizohet në dy faza. E para është nga vendkalimi kufitarë Bllacë në gjatësi prej dy kilometrave dhe duhet të ndërtohet për 18 muaj. E dyta, nga Shkupi me gjatësi prej 10.5 kilometrave dhe duhet të fillojë me ndërtim vitin e ardhshëm dhe të zgjasë rreth 36 muaj. Pritjet janë që kjo autostradë në përdorim të lëshohet në vitin 2023. Autostrada që do ketë 4 tunele dhe tetë ura do kushtojë rreth 110 milionë euro, kredi nga BERZH. Kosova e përfundoi autostradën nga Prishtina deri në kufirin me Maqedoninë me gjatësi prej 55 kilometrave për më pak se 5 vjet. Vlera e projektit ishte 600 milionë euro. /Alsat/
https://www.youtube.com/watch?v=GZ0mY8qsD1M

