Politikani zviceran përbuzë refugjatët shqiptarë të vitit 1991
Politikanët e partisë zvicerane SVP janë tallur me refugjatët e Mesdheut, përmes një fotografie të kohës më të vjetër, kur dhjetëra mijëra shqiptarë arratiseshin nga thundrat e komunizmit.
Fotoja duket se është joreale, sikur të jetë krijuar në kompjuter, sikur të jetë nga ndonjë film horror. Kaq shumë njerëz në një anije të vetme, në një liman të vetëm. Vallë a është e mundur, parashtron pyetjen „Blick“, transmeton „Shtegu.com“. Një foto që simbolizonte dëshpërim dhe pafuqi.
Politikani nga Cyrihu i SVP-së, këshilltari Christoph Mörgeli si duket, këtë foto e shfrytëzon për tu argëtuar. Gjatë të mërkurës, në konton e tij të Facebookut ai ka postuar fjalinë: „Po vijnë profesionistët“. Kështu ai e përzien debatin lidhur me mungesën e fuqisë puntore dhe iniciativën e migacionit të SVP-së me gjendjen e mjerueshme të migrantëve të Mesdheut, duke e shndërruar krejt këtë në një tallje.
Dhe ky nuk është i vetmi. Andreas Glarner, i po të njëjtës parti nga Aargau, gjithashtu e ka postuar të njëjtin version në Facebook.
Por, çka paraqet në të vërtete fotoja? Ajo nuk është e krizës aktuale të refugjatëve. Shoqata liberale „Operation Libero“ e ka gjetur zgjidhjen vetëm një orë pas postimit të fotos nga politikanët.
Është një foto e bërë e anijes „Vlora“ dhe arritjen e dhimbshme në limanin e Barit në Itali, më 8 gusht 1991. Anija e mallrave ka pasur mbi 20 mijë refugjatë nga Shqipëria në bord. Ata ia kthyen shpinën vendlindjes së tyre të shtypur nga stalinizmi, pas shpartallimit të regjimit të asaj kohe.
Autoritetet italiane kanë qenë tërësisht të papërgatitur, duke ua ndaluar shqiptarëve zbarkimin në liman. Pa ujë dhe nën diellin e rrezikshëm, shumica e tyre përjetuan djegie të shkallëve të ndryshme. Më në fund, ata u dërguan në një stadium, prej nga shumica e tyre u dëbuan për në Shqipëri.
Që të jetë ironia edhe më e madhe, politikanët e së djathtës, ndoshta edhe këta dy të fundit, në atë kohë kishin treguar mirëkuptim dhe përkrahje për refugjatët shqiptarë.