Përmes errësirës së gomave drejt shkëlqimit të jetës
Gjatë një vizite spontane të „Shtegu.com“ realizuar në sipërmarrjen e gomave „Recypneus SA“ në Kerzers të Zvicrës, u takuam edhe me udhëheqësin e saj, bashkatdhetarin tonë nga Kumanova, zotëri Selim Demirin. Si edhe shumë e shumë te tjerë, edhe anëtarët e familjes Demiri kishin marrë rrugën e mërgimit viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, për një jetë më dinjitoze në mungesë të saj në Maqedoni.
Së bashku me vëllain, Abedinin, ata iu rrekën punës së mundimshme me reciklimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e gomave të automjeteve të ndryshëm, nga veturat më të vogla, e deri te automjetet e rënda të ndërtimtarisë. „Ishte një fillim i vështirë dhe i mundimshëm. Por, me ndihmën e vullnetit të fortë dhe me ndihmën e vëllait tim Abedinit, arritëm që të ngritemi në një sipërmarrje të suksesshme. Tashmë shtatë vite jemi duke e udhëhequr sipërmarrjen „Recypneus SA“, ndërsa paraprakisht e kishim edhe një sipërmarrje të cilën e udhëhoqëm për tre vite me radhë. Për çdo vit kemi një qarkullim prej qindra mijëra gomave, sezonin e kaluar në sipërmarrje i kishim rreth pesëqind mijë goma, të cilat i eksportojmë pothuajse në të gjitha vendet e botës. Momentalisht jemi duke i përgatitur dy maune për në Afrikë, (në shtetet e Liberis dhe Kamerunit), ndërsa kërkesat janë të mëdha edhe në Brazil, Francë, Itali, Gjermani dhe shumë e shumë vende të tjera“, rrëfen Selimi i cili është person i qetë dhe gjithnjë i qeshur.
Ishte një befasi e mrekullueshme se në mënyrë sa të mirë ishin të radhitura gomat, që me siguri kërkon mund e djersë.
„Kemi gjithashtu dy sipërfaqësi në Ballkan, njërën në Fushë Kosovë e tjetrën në Kumanovë. Por, ritmi i punës është gjithnjë në rritje e sipër, prandaj kemi nevojë për një projekt pak më të madh, i cili do të na kushtojë diku 8-10 milionë franga zvicerane. I kemi të punësuar gjithsejt rreth 30 persona, prej tyre dhjetë deri pesëmbëdhjetë në Zvicër, kryesisht bashkatdhetare tanë“, vazhdon Selimi, i cili shtoi: „Pothujase në të gjitha viset e Zvicrës kemi nga një kontejner, nëpër sipërmarrjet e gomave, rreth njëqind sosh, të cilat, kur të mbushen kontejnerët me goma, na thërrasin dhe ne i grumbullojmë në hapësirat e sipërmarrjes tonë“.
Nuk do mend se vëllezërit Demiri janë shembull i një pune të disiplinuar, koordinimi ndërvëllazëror dhe shembull i integrimit të shqiptarëve në Zvicër. Në pyetjen e „Shtegu.com“ lidhur me aktivitetet sportive, Selimi nuk ngurron të spjegojë: „Më zgjodhën për kryetar të klubit futbollistik FC Ilirida nga Berna, në të cilin ekip luajnë kryesisht bashkatdhetarë tanë të rinj nga Maqedonia. Jam shumë i lumtur që këta të rinj e kanë zgjedhur rrugën e duhur, duke ua bërë me dije zviceranëve se edhe ne shqiptarët dijmë të integrohemi në një shoqëri bashkëkohore, duke lënë anësh paragjykimet e vjetra. Jam tepër i lumtur që mu dha rasti të jem pranë këtyre të rinjve dhe mund t`ju siguroj se sukseset nuk do të mungojnë. Vitin e kaluar, FC Ilirida ishte anëtare e Ligës së tretë rajonale të rajonit të Bernës, ndërsa tani, mund të them se nuk më mungon optimizmi që vitin e ardhshëm të ngjitemi në një rang më të lartë, pasi në ekip kemi ndryshuar disa gjëra, disponimi është në maksimum dhe kemi bërë disa përforcime“, përfundon Selim Demiri, i cili shpeshëherë ka qenë sponsori kryesor i ekipit.