Austriakët të zhgënjyer me fatin e rëndë të familjes kosovare
Në Austri më tepër ka Ardita se Arigona
Si shumë kosovarë të tjerë, edhe Halilajt provuan të kërkojnë azil në Austri, por ata u dëbuan
Ambienti i nxehtë në Vushtri të Kosovës, te njerëzit po se po, por edhe lulet në fushë. Nuk ka asnjë hije që mund ta freskojë shtëpinë e bardhë e të vogël, në kodër. Familja Halili është e detyruar të marrë ujë nga një fqinj, pasi ata nuk kanë ndonjë pus të vetin. „Gjatë dimrit nuk kishim më të holla për të ushqyer fëmijët“, rrëfen arsyet Teuta Halili përse kishin vendosur me bashkëshortin e saj të migrojnë, përcjell „Der Standard“. „Përpos kësaj, shkolla për fëmijët nga shtëpia është në një distancë prej tetë kilometrash. Mujorja për një fëmijë kushton dhjetë euro në muaj, ndërsa ne nuk i kemi këto të holla“.
Më një shkurt të këtij viti, Halilajt me të pesë fëmijët kishin hipur në autobus. Fëmija i tyre më i ri nuk është më shumë se trevjeç e gjysmë, vajza më e madhe, Ardita i ka 13. Asaj shumë mirë i kujtohet rasti me Arigona Zogajn, por nuk e kishte fatin që ta përjetojë të njëjtën përkrahje sikurse edhe ajo. Sipas principit, kosovarët nuk pranohen si refugjatë në BE, me një fjalë më tepër ka Ardita se sa Arigona, që do të thotë se ata dëbohen dhe nuk kanë të drejtë të qëndrojnë.
Fillimisht, me autobus familja arritën në Beograd, prej andej në Suboticë dhe përmes mauneve, për në Hungari. Këtu është dashur të kalojnë lumin e thellë dhe të ftohtë, 30 gradë celzius më pak se tani në Kosovë. E gjithë kjo u kushtoi 1.200 euro.
Teuta Halilit nuk i kishte pëlqyer Budapesti, apo thënë më mirë, nuk i kishte pëlqyer izolimi në ndonjë banesë. Besim Halili kishte ende të holla, pasi ai e kishte shitur shtëpinë me dy drunj në kopsht për 2.500 euro. Pesëqind euro i kishte kushtuar taksi nga Budapesti për në kufirin austriak. Atje familja kishte hipur në një tren për në Vjenë, në Linz dhe në fund në Kirchdorf. Pas katër ditësh, ata ishin pranuar nga një familje austriake në Oberndorf. Vajzat filluan të shkojnë në shkollë, ndërsa Ardita mësonte të thoshte: „Unë di pak gjermanisht“. Dimrin e kaluar, në Austri kishin ardhur rreth 5.000 kosovarë.
Kur, pas dy muaj e gjysmë, policia austriake i kishte izoluar Halilajt, shokët e klasës kishin filluar të tubojnë të holla. Por, dy ditë më vonë, familja u dëbua me avion prej Vjenës për në Prishtinë. Më 17 pril, pas njëmbëdhjetë javësh, ata përsëri e panë shtëpinë e tyre në Vushtri. „Vjena është aq e bukur. Nuk do të më del shpirti po që se nuk kthehem edhe njëherë atje“, pohon zonja Halili.
Por, përse familja Halili u nisë për në Austri, vallë a e dinin se aty nuk kanë kurrfarë gjasash për njohjen e statusit të refugjatëve? „Duam që fëmijët tanë të mësojnë, të njohin respektin ndaj ligjit dhe të kenë mundësi të shkojnë në shkollë“, ka deklaruar Besim Halili. Në fakt, në Kosovë, shumica janë mbi ligjin.
Po halli? „Shtëpia tani kushton 7.000 Euro, po që se dua ta riblej“, pohon Besimi. Gjatë mungesës së familjes, pronari i ri e kishte renovuar shtëpinë. Por, Besimi nuk i ka shtatë mijë euro, ndërsa me çdo kusht të hollat duhet të gjinden. Për momentin, familja është duke u përkrahur nga një fondacion austriak për zhvillim, me një shumë prej 70 euro në muaj për gjëra ushqimore. Po të kishin pasur ndonjë pus dhe një lopë, ata do të kishin mundur të mbijetojnë edhe në shtëpinë e vogël në kodër.