Pas sulmit ndaj dy nxënëseve nga Maqedonia, reagon drejtoria e shkollës

44 Lexime

Në një shkollë në Wurzen të Gjermanisë, dy vajza nga Maqedonia ishin keqtrajtuar nga shokët e tyre të klasës. Tashmë, drejtoria e shkollës është duke i shqyrtuar masat të cilat do t`i ndërmerr ndaj nxënësve sulmues.

 

 

Pas sulmit të fëmijëve refugjatë në një shkollë në Wurzen (rrethina Leipzig) të Gjermanisë, sulmuesve të rinjë u kërcënohen konsekuencat e para. „Fillimisht, ata do të përballen me vërejtje, por ndoshta edhe do të përjashtohen nga shkolla“, ka deklaruar Roman Schulz të premten, zëdhënës i Agjencisë për arsimim. „Policia dhe Prokuroria janë duke hetuar për lëndime të shkaktuara trupore“, pohon një zëdhënës policor. Ai nuk ka mundur të dëshmojë nëse fëmijët janë penalisht përgjegjës.

 

 

Dy vajza nga Maqedonia, të mërkurën fillimisht ishin goditur me fruta pemësh nga shokët e klasës, ishin pështyrë e në fund ishin shtyrë nga dera e hyrjes. Një vajzë nëtëvjeçare kishte pësuar lëndime në krah, ndërsa vajza tjetër 14-vjeçare lëndime në shpatull. Edhe disa ditë më herët, ndaj fëmijëve refugjatë ishin brohoritur fyerje e ngacmime nga një grup nxënësish të klasës së shtatë, shkruan „mz-web.de“, njofton „Shtegu.com“.

 

 

Gjatë fillimit të javës së ardhshme, pritet të bisedohet me prindërit e fëmijëve sulmues, e më pas do të merren masa përkatëse. „Se ato do të ngelin vetëm në paralajmërim, kjo duket shumë e pasigurt“, ka pohuar Schulz.

 

 

Ai nuk ka dashur të prononcohet lidhur me motivin e mundshëm të sulmuesve. „Po të shikohet se çfarë është duke ndodhur në përgjithësi në Sachsen, atëherë urrejtja ndaj të huajve dhe racizmi nuk janë problem teoriko-filozofik“, përfundon Schulz.

 

 

Vajzat e sulmuara do të shkojnë përsëri gjatë të hënës në shkollë, ku do t`i pranojnë punëtorja sociale dhe mësuesi. Atyre do tu jepet një përkujdesje e veçantë, në mënyrë që të mos kenë frikë para shkollës.

 

08:35:40       2015-12-13