Parodi interesante e Halil Matoshit

97 Lexime

Publicisti Halil Matoshi, duke parodizuar pseudo-historianët tanë që merren me histori fantastiko-shkencore, në profilin e tij në Facebook ka bërë një “zbërthim” si ata, duke i ndërlidhur shqiptarët jo vetëm me pellazgët po edhe me lashtësinë biblike e parabiblike. Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Ultraexlussive: Zbërthehet enigma që e ka mundue njerëzimin për mija vjet: Adam dmth, At- e – Amë

– Mos e leni pa e lexue –

Simas ni dorëshkrimi të shkencëtarit hundëzak Ahmad Shahzad (Ameti i tezez Shahzade) nga Harward Univesity, të gjetun sëvoni, ADAM në pellazgishten e vjetër lexohet: At – e –Amë = prindërit legjitim të pellazgjerve Ademi e Hava, të cillet tuj u end nëpër kopsht (kush nga ne pasardhësit e tyne nuk endemi shpesh përreth kopshtit dhe ky rrethanor e ndihmon katërciprisht shkencen moderne) vendi ku endeshin u quejt Eden, sepse gjuha pellazge nihet për rregullin e permutacionit të shkronjave Endem = Eden!

Duke qenë se parapellazgjikët kanë jetue në qarkun HUNZA të Pakistanit (dhe nga ky fis pellazg Hundëzakësh rrjedh edhe ni degëzim anglosaxonësh të vjetër jo vetëm me sy por edhe me gjak të kaltër – familja e mbretënore e Richardit III. Simas historianit Nol Malkomiti „Richard of Gloucester“ ishte i biri i John (Gjon) Gloucester-it (Gjon Glauku-t = dihet se simas englishtes së vjetër, antroponimi Glouc merr ndajshtesen ‘ester’ si psh. Manchester ectr. që u jepet gjithmonë emnave të përveçem anglosaxon.

Madje degëzimi i shkëputun nga Kalashët dhe Hundëzakët e kishte ruejt shamjen autoktone FUCK in CIU-CIU Mather = qe në shqip i bjen: Kaja bilbil nanen.

Pra kur i diq e ama Richardit III = Rri Qart Kalajes III, mbi vorr ishte pa tuj kja ni bilbil!?

Ndërsa kalashët dhe hundëzakët e Pakistanit si parapellazgjik e këndonin Biblen aq rrjedhshëm si Bilbil (pra nga kjo fjalë edhe emnesa e Librit të shenjt ‘BIBEL.’

Ashiqare simas rregullit të alternimit të d-së në t. në pellazgishten e vjetër. Richard III dmth.: Rri- Qart. Lindur me 2 tetor 1452 në Castell Fotheringhay që në shqyp ka kuptimin Fute n’ring, hej Kalaja (Mbiemni Kalaja dhe mikrotoponimi haset gjithandej në trojet shqyptare, si psh. mes katundeve Dabishec e Prapashticë) kurse Rri-Qart III nihej për sportet marciale.

Dhe me zbërthimin e enigmes biblike të At-e-Amë asht lehtë të konkludohet se edhe Abrahami ishte pellazg 100% (në shqyp dihet Brahim ose shkurt Brahë. Pra jorastësisht bota Perëndimore e mbështeti pasardhësin e Abrahamit, Brahim Rugoven për ta ringritë Perandorinë abrahamite të Dardhanisë (simas katundit Dardhishte e Eperme) apo Kosovës së sotshme.

Hunza (Burushaski dhe urdu: ہنزہ) asht ni luginë malore në rajonin Gilgit-Baltistanit (Gelqere dhe Balt- ose Humëzostanit në shqyp) të Pakistanit.

Hunza është e vendosur në veriperëndim të lumit Hunza, në një lartësi prej rreth 2,500 metra (8,200 kambë, si dëshmi se parapellazgjikët e kanë pasë njësi matëse thjesht e bukur, kamën.).

Territori i Hunza asht rreth 7,900 kilometra katrorë (3100 mi kamë). Aliabad (Qyteti i Alisë) asht qyteti kryesor ndërsa Baltit (Sa bukur asht ruejt edhe sot kjo fjalë shqype: Balt-ë/a si dhe mbiemni Baltiqi) asht ni destinacion popullor turistik për shkak të pamjes spektakolare të maleve përreth si Ultar Sar, (krhs: Ul-Ujk); Rakaposhi, (toponim qe ruhet edhe sot ngat Istogut në trajten Rakosh) Bojahagur (ashiqare në pellazgishte: Bolla ha gur: sepse shkronja ‘J’ alternohet në pellazgisht në ‘LL’ kurse terreni asht gurishtë; Duanasir II, (Duana dmth. na doni kurse Sir duhet të jetë – simas degëzimit angloz\saxon = Zotni; Ghenta (nuk ka fare nevojë të ketë dilema = asht emen tipik i vajzave shqyptare: GENTA; etj.

HUNZA = hundëzakët janë kryesisht hundëshkabë si shqyptarët e sotëm dhe kanë ni gjeografi të bukur dhe jo kot thuhet se HUNZA = The Hidden Paradisse. Qe lidhet me kopshtin ku endeshin At – e – Amë.

Ma e randësishme se sa origjina pellazge e shqyptarëve natyrisht se asht origjina biblike e tyne. Pellazgjerit ishin djemt e Jafetit (Xhafes), të birit të Noas (Nuhës) pra Xhafa i Nuhës asht pellazgu i fundit, nga vijnë dardhanët e sotshëm. Dy djmet tjerë të Noas (Nuhës) janë Hami e Shami.

Nga Hami e kanë prejardhjen Hamitovitët e sotshëm kosovarë kurse nga Shami e kanë prejardhjen populli i Shamit (për tokën e të cilit po lufton ISIS, aktualisht në Siri dhe Irak.)” (sic.), ka shkruar Matoshi. /Telegrafi/