“Margaritari i Maqedonisë“ – Rexhallari synon mbrojtjen e titullit

75 Lexime

Vitin e kaluar me fitoren në “Margaritarin e Maqedonisë”, arrita një nga sukseset më të mëdha në karrierë. Shpresoj që këtë sukses ta përsëris edhe sot, edhe pse jam i vetëdijshëm që do të jetë shumë vështirë, pasi konkurrenca do të jetë shumë e madhe”, pohon Rexhallari. Pos Rexhallarit, klubin e mundjes Liria do ta përfaqëson edhe Besmir Veseli
Gjatë ditës së shtunë, në qytetin e Radovishit do të mbahet edicioni i 39-të i turnirit prestigjioz në mundje për seniorë „Margaritari i Maqedonisë“. Në të njëjtin eveniment, klubin e mundjes Liria do ta përfaqësojnë dy mundësit më të mirë, Jasin Rexhallari në kategorinë deri në 61 kg dhe Besmir Veseli në kategorinë deri ne 74 kg, si dhe mundësit tjerë nga Maqedonia, Ivan Janev (57 kg), Dejan Mitrov dhe Davor Tasev (65 kg), Behar Mahmuti (70 kg), Halil Zubairov dhe Boban Savev (86 kg), Dejan Bogdanov, Erdall Raimov (97) dhe Boban Danov (125 kg). Ndryshe, seleksionues i Maqedonisë është Lulzim Vrenezi. Vlen të përmendim, fitues i Margaritarit të Maqedonisë” vitin e kaluar ka qenë, Jasin Rexhallari. “Vitin e kaluar me fitoren në `Margaritarin e Maqedonisë`, arrita një nga sukseset më të mëdha në karrierë. Shpresoj që këtë sukses ta përsëris edhe sot, edhe pse jam i vetëdijshëm që do të jetë shumë vështirë, pasi konkurrenca do të jetë shumë e madhe. Fillimisht, synoj të jem i pari në kategorinë ku do të garoj, e më pas, pse jo edhe ta fitoj përsëri këtë trofe dhe të vazhdoj të eci hapave të trajnerit tim, Lulzim Vrenezi”, deklaroi Rexhallari. Në ndërkohë, në këtë turnir do të paraqitet edhe Reprezentacioni i Kosovës. Seleksionuesi Mustaf Syla në këtë aktivitet të fuqishëm do të merr pjesë me katër garues, Kastriot Sedolli, Bujamin Berisha, Arlind Curri dhe Drilon Syla. Luftërat eliminatore sipas organizatorit të turnirit do të fillojnë në ora 10.30, ndërsa të njëjtat do të zgjasin deri në ora 14.00. Më pas prej orës 16.00 e deri më 17.15 janë paraparë të zhvillohen luftërat për pozitën e tretë dhe të pestë, që më pas të bëhet hapja solemne e turnirit. Në ndërkohë, më pas pason më e mira e turnirit, kur prej orës 17.15 do të zhvillohen luftërat për pozitën e parë dhe të dytë. (Koha)