LAJM I FUNDIT: Albina Hamidi transferohet te rastet e rënda
Peticioni i suksesshëm
Të mërkurën, Komisioni shtetëror për shqyrtimin e peticioneve është preokupuar me kërcënimin për dëbim të shqiptares 19-vjeçare Albina Hamidi nga Lugina e Preshevës. Ai ka vendosur që rasti në fjalë të transferohet në Komisionin për raste të rënda, ndërsa te familja Hamidi është ndjerë një lehtësim i madh, sikurse edhe te të gjithë kundërshtarët e dëbimit. Kohë ma parë, me pankartën “Je suis Albina” (“Unë jam Albina”) qytetarët gjermanë kishin dalë në protesta kundër dëbimit të shtetases shqiptare. Pas protestave të shumta organizata gjermane “Bunt statt braun” (Ngjyra në vend të kafes), kishte arritur të prolongojë dëbimin e shqiptares Albina Hamidit. Mediet gjermane shkruajnë se ajo mund të qëndrojë atje deri në verë, që t’i jepet mundësia ta përfundojë maturën. Shoqata “Bunt statt Braun” ka ngritur zërin përmes rrjeteve sociale dhe më pas në protesta, të cilave iu bashkuan nxënësit, shokët dhe shoqet e Albinës, si dhe mësuesit dhe qytetarë të tjerë. Në pankartat e gati 100 protestuesve mund të lexoheshin slogane si: “Je suis Albina” ose “Mos e dëboni Albinën”. Sikur të mos ndalohej kthimi, Albina, e cila është e sëmurë nga epilepsia, së shpejti do të duhej të fluturonte për në Beograd.