Kukeli për „Berner Zeitung“: „Me Zvicrën do të kishim luajtur vetëm në finale“
Në Tiranë i pranuar si hero i vërtetë, lojtari shqiptar i FC Zürich, Burim Kukeli flet për kualifikimin historik të Shqipërisë në Kampionatin Europian „Francë 2016“.
Në intervistën dhënë të përditshmes zvicerane, ai pohon se kualifikimi i Shqipërisë në Kampionatin Europian është një sukses tepër i madh, i cili do të shënohet në historinë e vendit, pasi është hera e parë e kualifikimit në një turne kaq të madh. „Unë jam tepër krenar për këtë sukses, pas rrugëtimit të gjatë të Kombëtares në pjesën e poshtme të futbollit botëror. Megjithatë, ne nuk i kemi treguar të gjitha kualitetet tona, të cilat do t`i dëshmojmë gjatë Kampionatiti Europian në Francë, me ç`rast do të ballfaqohemi me ekipet e mëdha europiane, nëpër stadiumet e mëdha europiane“. Më tej, ai mendon se çelësi i suksesit ishte fitorja e pabesueshme ndaj Portugalisë, për të cilën nuk i besohej askujt, përpos vetë lojtarëve dhe popullit shqiptar. Në pyetjen nëse ai do ta kishte dëshiruar ekipin zviceran në një grup me Shqipërinë, Burimi përgjigjet me shpejtësi dhe i emocionuar: „Ju lutem, jo me Zvicrën. Së pari, Zvicra ka një ekip shumë të fortë, në të cilin luajnë disa shqiptarë. Dhe së dyti, unë kam një respekt të veçantë për këtë vend. Po që se shorti na bie të luajmë me Zvicrën, atëherë do të isha lutur që kjo të ndodhë në finale“, transmeton „Shtegu.com“. Sa i përket meritës „zvicerane“ për kualfikimin e Shqipërisë në KE 2016, Burimi është i mendimit se Zvicra i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, por se edhe shqiptarët kanë bërë shumë për futbollin zviceran.