Jeta e rëndë e Helmutit nga Gjermania në lagjen Shutkë të Shkupit
2019-08-07
Tashmë 13 vite, Helmut Zyberi është duke jetuar në lagjen rome të Shutkës, në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut. I lindur dhe i rritur në Gjermani, si fëmijë i punëtorëve të përkohshëm nga Maqedonia e Veriut, vendlindjene tij ai e kishte njohur vetëm përmes tregimeve, shkruajnë mediat gjermane, përcjell Shtegu.com. Aktualisht, vendbanimi më i madh i romëve në botë është shtëpia e tij. Duke mos u pranuar si një qytetar i plotë nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, mekaniku i trajnuar i automjeteve nga Krefeldi i Gjermanisë bën një jetë me varfëri të thellë. Pa asnjë mbështetje shtetërore, përfitime sociale apo sigurim shëndetësor, i përjashtuar nga jeta sociale dhe ekonomike e vendit, Helmut Zyberi banon në mënyrë të paligjshme, në një ish strehimore emergjente për ish viktimat e tërmetit të vitit 1963.
Banesa e rrënuar nuk është e lidhur me kanalizime apo furnizim me ujë. 13 vite më parë Helmuti u zhyt në ujërat e kriminalitetit në Gjermani, duke tregtuar marihuanë, u kap dhe u dënua. Dënimi me burgim prej tre vitesh ishte i mjaftueshëm për ta dëbuar shtetasin e Maqedonisë së Veriut, i cili jetoi me lejeqëndrim të rregullt në Gjermani që nga lindja e tij. RT Deutsch u takua me Helmut Zyberin dhe romë të tjerë të dëbuar nga Gjermania në Shkup.