(INA) Zeqir Rexhaj: Si e shpëtova zviceranin nga aeroplani në flakë

74 Lexime

Antonio Martini/INA
Zeqir Rexhaj është shqiptari hero që ka pushtuar mediat zvicerane, pas misionit vullnetar të shpëtimit të pilotit nga aeroplani civil që u rrëzua sot në komunën Muhen të Kantonit Aargau në Zvicër.

Policia theksoi se aksidenti ndodhi për shkak të problemeve teknike të cilat shtyen pilotin të aterrojë në rrugën që të dërgon nga Muhen për në Wohlen.  Dhe aterimi ishte fatal, pasi aeroplani u përplas fuqishëm dhe u përfshi nga flakët.

Por fati e deshti që Zeqir Rexhaj të qëllonte aty shumë pranë si kalimtar rasti.

Rexhaj në një bisedë për INA ka rrëfyer se si ka ndodhur momenti i shpëtimit, sapo kishte parë aeroplanin e përplasur përtokë dhe që ishte përfshirë nga flakët.

“Isha duke pritur në semafor kur anash nga unë pashë këtë avion që ateroi furishëm. Në fillim mendova se është një aterim standard, mirëpo pasi pashë duke dalë tymi dhe flaka, atëherë kuptova menjëherë se ishte një aksident. Menjëherë kam dalë nga makina ime dhe iu afrova avionit duke provuar që të thyej dritaren. Nga brenda ishte tym dhe nuk shihja ndonjë person. Prapë se prapë unë tentova me forcë ta hap dritaren e këtij avioni. Në një moment piloti ka arritur që ta hap dritare nga brenda, duke me lehtësuar misionin e shpëtimit”, rrëfen për INA, Zeqir Rexhaj.

Ai më tej shpjegon se një pjesë e veshjes së pilotit nisi të digjej, për shkak se kerozina e kishte kapluar trupin dhe ai u përfshi në flakë sapo hapi dritaren.

“Në këtë moment kam shpejtuar dhe nuk kisha frikë dhe me shpejtësi e nxora nga aeroplani. Ajo që e vështirësonte ishte pesha e rëndë e pilotit, i cili bërtiste ‘të lutëm më ndihmo’.  Më në fund e nxora dhe e largova duke e tërhequr zvarrë rreth 15 metra nga avioni, i cili veç se filloi të përfshihet nga flakët më të mëdha. Arrita që t`ia heqë pantallonat, për shkak se ato ishin përfshirë nga flakët dhe mund t`i digjej edhe trupi. Trupi shihej me të djegura, por prapë se prapë mendja  e ime më thoshte se do të mbijetojë”, theksoi për INA, shpëtimtari Zeqir Rexhaj.

Ai përveç kësaj, menjëherë kishte vrapuar tek një makinë e cila ishte goditur nga një pjesë e aeroplanit dhe nga ky aksident një femër ishte e plagosur. Zeqiri shpjegon se kur ishte afruar tek vetura, ka parë që viktima e lënduar ishte nën përkujdesjen e dy personave të tjerë.

I pyetur se a kishte frikë në këtë mision të papritur shpëtimi, Zeqiri thotë se aspak nuk ka pasur frikë dhe se në atë moment nuk e dinte se nga i kishte ardhur gjithë ajo fuqi.

” Zoti më ka ndihmuar dhe ma ka dhënë fuqinë” thoshte Zeqir Rexhaj, i cili në Zvicër jeton rreth 20 vite, me familjen e tij, përfshirë dy djemtë e nipat.

“Dua të të them se ne shqiptarët nuk jemi vetëm kriminelë, por se ne dimë edhe të shpëtojmë jetët e njerëzve pa marrë parasysh se nga janë”, thotë mërgimtari shqiptar, i cili tashmë është bërë një shembull pozitiv në Zvicër dhe një hero i zviceranëve dhe mediave të tyre. (INA)