GJIROKASTRA NA BASHKOI TË GJITHË SHQIPTARËT

Date:

Grupe folklorike nga mbarë trevat shqiptare, brenda e jashtë kufinjëve dhe nga diaspora, në ditët e fundpranverës të Majit 2015, vërshuan në kalanë e Argjiros për të shpalosur folklorin tonë të pasur, të bukur në pamje e të magjishëm në shpirt.

Privatisht udhëtova për në Gjirikastër. Kisha deshirë të shoqëroja e të shikoja grupin kosovar të Rrashbullit, i cili së bashku me disa grupe folklorike të tjera, përfaqsuan Qarkun e Durrësit në festivalin folklorik. Ishte një nostalgji për vitet e shkuara, kur unë isha pjestar i këtij grupi, krahas disa djelmoshave kosovarë nga fshatrat përrreth Durrësit. Ky grup me në krye rapsodët Dervish Shaqja dhe Demush Neziri ishte bërë mjaft i njohur në mbarë hapsirën shqiptare, duke marrë pjesë në të gjitha koncertet dhe festivalet që organizoheshin në ato vite. Asgjë më shumë veç trashëgimi e folklorit të Kosovës, të ruajtur ndër vite, e të sjellë aq bukur artistikisht nga legjenda e mirënjohur Dervish Shaqja me shokë.

Mëngjez 11 Maj 2015. Udhëtuam drejt Gjirokastrës, mirë e rehat sa nuk e ndjemë kohën dhe lodhjen. U kënaqëm, jo thjesht për rrugën e shtruar aq mirë, por mësëshumti për gjallërinë, shakatë dhe këngët që na shoqëruan gjatë gjithë rrugës, deri në mbërritje.

Të nesërmen paradite do bëheshin provat gjenerale. Rrugën për në kala e bëmë në këmbë. Interesant! Mirë të rinjtë, por edhe ne të thinjurit, pa u lodhur i ngjitëm qetë-qetë rrugët e qytetit, shtruar me kalldrëmin karakteristik. Kënaqeshim me madhështinë që të ofron ky qytet i gurtë e i magjishëm. Në të dy anët e rrugës dyqanet plot mallra, njerëz që hynin e dilnin papushim, zbukurime plot, banderola “Agjiro fest”, dhe përshëndetje të gjirokastritëve mikpritës.

O zot, ç`Pamje fantastike! Kush i ka parë e nuk është mahnitur e mrekulluar? Tregimet dhe filmat nuk janë asgjë para asaj që rok syri. I gjithë qyteti, lugina e Drinosit dhe malet përkarshi, si në pëllëmbë të dorës, me të gjitha ngjyrat që sjell kulmi i pranverës.

Jep shfaqje Grupi i shqiptarëve të diasporës nga Amerika. Na u dridh trupi dhe u mek fjala kur ushtuan vargjet e këngës:

“O vëllezër, mos e lshoni vendin tuaj!

S`ka gjë ma të ëmbël se dheu juaj!………”

Më datën 12 të Korrikut, konkuroi Qarku i Durrësit. Grupi “Pleqtë e Krujës”, çamët e Rrogozhinës, grupi i Manxës, grupi i Shijakut, me këngë autoktone të zonës Manskuri – Shkallnur, së bashku me ta edhe “Grupi kosovar” me pjestarë nga kosovarët e Qerretit të Durrësit, Shënavlashit dhe të Rrashbullit. Janë të rinj, por vazhdues të trashëgimisë artistike të ansamblit të dikurshëm. Sot ata përbëjnë një grup të vogël: Syl Hasani instrumentist i shkëlqyer dhe mjeshtër i sharkisë e çiftelisë, Nazim Gryka më i vjetri pjestar i grupit prej 45-vjetësh, pjesëmarrës në disa fetivale në Gjirokastër e gjetkë, Rasim Idrizi me dy djemtë e tij Dardanin dhe Isën, më tej Nazmi Blaka, një djalë energjik dhe i papërtueshëm dhe në fund rapsodi i njohur Rahman Shima me origjinë nga Burreli, mjeshtër i fyellit. Pak prova kanë bërë, por e kanë gjetur mirë njëri – tjetrin, duke kombinuar zërat dhe instrumentat, sidomos në këngët me temë patriotike, aq të dashura për ta dhe për publikun që i mirëpret e i përcjell me duartrokitje.

Menjëherë porsa grupi ynë mbaroi koncertin, prapa skene na priste grupi kosovar i ardhur nga Suedia. Ata na rrethuan duke na përshëndetur:

– O ku jeni bre kosovarë !? – dhe pa pritur përgjigje, nxitojnë të pyesin:

– Po ku është Dervish Shaqja e Demush Neziri!? – Një pyetje që s`ka nevojë për përgjigje. Është një kujtim e nderim për dy figurat e shumënjohura të festivaleve, si në teritorin shqiptar e aq më shumë në Kosovë, në trojet etnike shqiptare e kudo në diasporë. Dhe ne ju përgjigjëm:

– Qe ku i kemi: për Dervishin, Sylën dhe për Demushin, Nazmiun…..

– Unë jam nga Deçani, – thotë një i ri, pjestar i grupi ardhur nga Suedia. – E kam njohur Dervishin dhe Demushin përmes valëve të Radio-Tiranës dhe Radio-Kukësit, që i dëgjonim fshehurazi shkaut dhe hafijeve të tij. Në këto fjalë e sipër, Nazmiu nuk priti ma dhe ia dha piskamës me kangën e Bajram Currit. U dridhën telat e çiftelisë. Kaq mjaftoi dhe i gjithë grupi ia nisi këngës. Nuk u çuditëm kur rreth nesh u mblodhën aq shumë njerëz sa ndesh na morrën frymën. Magjia e këngës popullore i bashkon njerëzit, madje kur kanë brenda edhe prrushin mëmëdhetar, e ndez zjarrin e shpirtit te çdo shqiptar. Duhet të ndodhesh aty që të prvosh morrnicat që të ngjethin shtatin. Vetëm pranë tyre mund ta njohësh e ta prekësh pasurinë shpirtërore të shqiptarëve të ruajtura me fanatizëm në këngët dhe vallet, e njëkohësisht të ndjesh pranë krenarinë, dhimbjen dhe frymëmarrjen e kombit tënd.

Largohemi për në hotel në Picar. Në hollin e lokalit, në një kënd të tij ishin grumbulluar mjaft pjestarë të grupeve të festivalit. Ishte pronari i hotelit që po bisedonte shtruar me ta. Askush nga ne nuk e njihte, ndaj u bëmë kurioz, u afruam dhe hymë në bisedë edhe ne.

–           A e di se kush është ai? – Më thotë Syla.

–           Jo, i them.

–           Është Dasho Aliko, kryetari i komunës së Lazaratit, – më thotë.

– U befasova! Më dukej fytyrë e njohur, po hajde thirri kujtesës. Me pak mundim u kujtova se e kisha parë në TV, këtu e një vit më parë. U afrova edhe më shumë dhe pavarësisht mosnjohjes nga afër, i them:

– Eja more burrë se të njohim se kush je! Eja se duam edhe ne të bisedojmë me ju e t`u dëgjojmë zërin. M`u përgjigj flak për flak, duke u ngritur në këmbë:

– Po do të vij edhe te ju kosovarët e Durrësit, se ju nderoj shumë, jeni burra e trima të paepur. – dhe vazhdon: kam njohur mjaft kosovarë në kohën e luftës këtu e 15 vjet të shkuara, pasi kam pritur disa familje në shtëpinë time. Pasi u çlirua Kosova kam qënë disa herë aty, dhe më kanë pritur aq bukur, ashtu siç dinë të presin veç kosovarët. Eh Kosova jonë! Është vend i bekuar, i pasur dhe me njerëz me shpirt e shtat të bukur.

Në këto muhabete, kënga kish pushuar. Veç kur dikush ja krisi telave të çiftelisë dhe sharkisë, duke e shoqëruar me vargjet:

“Mbi tropojë majë një shkrepi

Sokol djema rrit prej djepi”…….

U ndamë duke u përshëndetur miqësisht, si shokë e miq të njohur prej kohësh. Gjirokastra na bashkoi, ndaj uruam: kënga e vallja shqipe të mos reshtet kurë. Ditë më të mira për shqiptarët kudo që janë. /Zemra Shqiptare/

 

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

Arbër Bullakj zgjidhet deputet nē Këshillin Kombëtar zviceran

Arbër Bullakaj, një politikan socialdemokrat shqiptar nga Wili, po...

Vesa Xhymshiti do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën Evropiane të Matematikës në Lituani

Vesa Xhymshiti do ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadën e...

«KURORA E LIRISË» – NJË MANIFESTIM QË NDERON SAKRIFICËN DHE RIKONFIRMON UNITETIN KOMBËTAR

NJË MANIFESTIM QË NDERON SAKRIFICËN DHE RIKONFIRMON UNITETIN KOMBËTAR   «...

Nga Tetova në Austri: Setki Ibraimi, zëri shqiptar që po forcon përfaqësimin në politikën austriake

Në rrugëtimin e diasporës shqiptare gjithmonë ka pasur dhe...