EKSKLUZIVE: Shkupjani nga Gazi Baba, dëshmitar i rrëzimit të murit të Berlinit

Date:

Ishte ditë e ftohtë e tetë nëntorit 1989, kur treni u ndal në stacionin e Berlinit, në pjesën lindore të tij. Fadil Rogaçi nga lagja Gazi Babë e Shkupit zbriti në trualin gjerman me të motrën dhe tre fëmijët e saj, që po i shoqëronte për bashkim familjar te dhëndrri. Menjëherë e kapluan ndjenja të çuditshme, pasi ishte hera e parë që po vizitonte Gjermaninë në prag të ngjarjes historike – bashkimit të dy Gjermanive.

Prej aty, ata u futën nëpër metron gjigante dhe diku në hapësirat e saj, u paraqit edhe kufiri legjendar që e ndante padrejtësisht një popuj të një gjaku.

«Na kontrolluan detajisht, nga gishtërinjtë e këmbëve e deri në maje të kokës. Isha me të motrën dhe tre fëmijët e saj të moshës tetë, gjashtë dhe katërvjeçare. Te fëmijët e vërejta një shqetësim të madh, pasi asnjëherë nuk kishin përjetuar ndonjë rast të tillë», rrëfen çastet e sikletshme Fadili, enkas për Shtegu.com.

Pasi e kaluan edhe këtë barrierë të rëndë, ai dhe e motra me fëmijët vazhduan rrugën për te dhëndrri, ku u vendosën për të pushuar pas rrugës tepër të gjatë.

As që i kishte shkuar ndërmend se do të ishte dëshmitar i një dite historike, i një ngjarje madhështore dhe i një përjetimi të paharruar, për të cilën do të shkruanin të gjitha mediumet botërore.

«Të nesërmen dolëm me dhëndrrin të shëtisim nëpër qytet. Çfarë të shohim: Çekanë, kazma, lopata, tokmakë e pajisje të tjera ndërtimi, as që e di se kush dhe si i kishte sjell. Përnjëherë filluan goditjet e hatashme në drejtim të murit famëkeq. Ishin goditje të fuqishme që simbolizonin shfryrjen e mllefit dhe urrejtjes disavjeçare, ndaj murit që i kishte ndarë vëllezërit gjermanë. Asnjëherë nuk do të më hiqen nga mendja ato pamje fascinuese e përplot emocione. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend, e mora një copë guri nga ky mur dhe e imagjionova se do ta ruaj tërë jetën në shenjë përkujtimi për këtë ngjarje madhështore», vazhdon rrëfimin e tij Fadili 57-vjeçar.

Për fat të keq, ai e kishte ruajtur gurin për disa vite me radhë, derisa një ditë po rinovonte shtëpinë e tij në Gazi Babë dhe nga pakujdesia, ndokush nga mjeshtrit e kishte hedhur në mbeturina.

«Do të më ngel peng në shpirt tërë jetën që ma humbën gurin aq të çmuar për mua. E ruaja si sytë e ballit, pasi më simbolizonte një ngjarje të rëndësishme botërore, në të cilën unë isha dëshmitar rasti. Një ngjarje ku po bashkohej një popull i një gjaku, i ndarë padrejtësisht për vite të tëra. Nëpër kokë më silleshin mendimet e ndarjes së padrejtë të popullit shqiptar në trojet e veta etnike. O Zot, a do ta përjetojmë edhe ne ndonjëherë një gëzim të tillë», pohon me një mallëngjim të madh shkupjani, i cili përndryshe është arsimtar në një shkollë fillore në rrethinë.

Në ndërkohë, nipat dhe mbesat e tij në Berlin janë rritur dhe janë të moshës madhore, ndërsa janë vendosur me dokumentacion të rregullt qëndrimi në Berlin. Përpos tetëvjeçarit që i kujtohen si nëpër mjegull ato çaste, fëmijët e tjerë nuk mbajnë mend pothuajse asgjë nga ky rast.

 

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

Arbër Bullakaj merr detyrën në Këshillin Kombëtar të Zvicrës

Gjashtë anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar morën detyrën...

Shkaqet shëndetësore ndikuan në moderimin e gazetarit Kushtrim Sadiku

Gazetari Kushtrim Sadiku, i kërkon falje publikut për paraqitjen...

Gjashtë të vdekur nga një zjarr në një autobus në Zvicër

Një autobus postar u përfshi nga flakët në Kerzers,...