Dënohet maqedonasi që trafikonte këlyshë të qenit
Nën patronatin e ombudsmanit për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve në Vjenë të Austrisë dhe të policisë austriake, gjatë pasdites së të enjtes, një blerës e kishte zbuluar një tregtar të këlyshëve të qenit. Sipas një postimi që kishte bërë në faqen bazos.at, ai kishte ofruar për shitje dy këlyshë të llojit „chihuahuas“, për një çmim prej 450 eurosh. Ai tashmë është dënuar me 600 euro gjobë, njoftojnë mediet austriake.
Shtetasi maqedonas ka vepruar në kundërshtim me ligjin, me të cilin ndalohet tregtia e kafshëve në internet dhe rrugë. Këlyshët kanë qenë tetë javë të rinj, pa dokumentacion të rregulluar dhe pa përkujdesje të duhur veterinere. Ata janë përkujdesur menjëherë nga veterineri kujdestar i qytetit të Vjenës dhe i janë dorëzuar entit për përkujdesjen e kafshëve në Vjenë.
„Prapa tregtisë me këlyshë fshihet një vuajtje e madhe kafshësh, këlyshët janë ndarë nga nëna shumë të rinj, janë sjellë deri këtu nën kushte mizore dhe shpeshëherë, ata sëmuren“, ka deklaruar këshilltari i mirëqenies së kafshëve i qytetit të Vjenës, Ulli Sima . Me këtë rast, ai ka paralajmëruar edhe për sëmundjet evetuale infektive që do të mund të përhapeshin me rastin e transportimit të kafshëve nga jashtë.