BE-ja dhuron 35 500 bileta treni për europianët e rinj, aplikimi zgjat deri më 16 tetor

186 Lexime

35 500 europianë të rinj që kanë mbushur 18 vjeç tani kanë mundësinë të fitojnë një biletë treni falas në të gjithë kontinentin

 

Komisioni Europian ka nisur raundin tjetër të programit të udhëtimit “DiscoverEU”. Të rinjtë mund të aplikojnë për biletat deri më 16 tetor në orën 12:00, njoftojnë autoritetet e Brukselit, transmeton portali Shtegu.

 

Mund të marrin pjesë qytetarët e vendeve të BE-së, si dhe Islanda, Lihtenshtajni, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Serbia dhe Turqia. Nëse dëshironi të fitoni një biletë falas, fillimisht duhet të provoni njohuritë tuaja në një kuiz të shkurtër.

 

Fituesit më pas mund të udhëtojnë nëpër Europë për deri në 30 ditë midis 1 marsit 2025 dhe 31 majit 2026. Mund të marrin pjesë të gjithë të lindurit në 2006. Pjesëmarrësit me paaftësi ose probleme shëndetësore mund të aplikojnë për t’u shoqëruar.

 

Nisma „DiscoverEU“ filloi në vitin 2018 dhe ishte ideja e aktivistëve Vincent-Immanuel Herr dhe Martin Speer. Propozimi për t’i dhënë çdo qytetari të BE-së një biletë Interrail për ditëlindjen e tij të 18-të dhe në këtë mënyrë të njohë të rinjtë me kontinentin u prit me një mbështetje të madhe nga politikanët dhe shoqëria.

 

Sipas Komisionit të BE-së, që nga fillimi i programit kanë aplikuar 1.3 milionë njerëz për rreth 320 000 bileta.