Bashkim Iseni: «Zvicra në start fillon me dy ekipe»
03:35:29 2016-06-12
Gazetari dhe drejtori i platformës shqiptare Albinfo në Zvicër, Bashkim Iseni, për të përditshmen zvicerane „St. Galler Tagblatt“ ka dhënë një intervistë në prag të ndeshjes mes ekipeve të Shqipërisë dhe Zvicrës. Ai ka spjeguar se çfarë do të thotë për shqiptarët e Zvicrës, ndeshja e së shtunës në mes dy kombëtareve. Në të njëjtën kohë, ai ka spjeguar edhe përse në këtë ndeshje zviceranët dhe shqiptarët vetëm do të fitojnë.
Ja edhe intervista në fjalë të cilën e përshtati „Shtegu.com“:
St. Galler Tagblatt: Zotëri Bashkim Iseni, me siguri se ndeshjen e sotme në mes të Shqipërisë dhe Zvicrës nuk do ta humbisni.
Bashkim Iseni: Natyrisht se jo. Këtë termin e kam shënuar tashmë kohë të gjatë me shkronja të kuqe në agjendë. Ndeshjen do ta përcjelli me djalin tim 14-vjeçar, i cili luan futboll dhe është tifoz i flaktë i Kombëtares shqiptare.
St. Galler Tagblatt: Po ju?
Bashkim Iseni: Unë jam krejtësisht i ndarë në këtë drejtim. Këtë e dëshmon e edhe fanella të cilën do ta mbaj sonte. Ajo është e ndarë përgjysmë dhe në njërën anë pasqyron gjysmën e kryqit zviceran, ndërsa në tjetrën gjysmën e shqiponjës shqiptare dykrerëshe. Do të jetë një ndeshje komike për mua. Për Kombëtaren zvicerane kam një respekt të jashtzakonshëm. Zvicra ka arritur që kulturat e ndryshme t`i unifikojë në një ekip të fortë. Zvicra ka arritur që në futboll të shndërrojë diçka pozitive për migrimin. Zakonisht migrimi paraqitet si negativ, por në futboll ai e ka ndihmuar Zvicrën që të matë forcat me ekipet më të mira të Europës.
St. Galler Tagblatt: Edhe duke i falënderuar gjashtë lojtarëve shqiptarë?
Bashkim Iseni: Po, me ta unë përjetoj ethe sportive. Është një punë e madhe se çfarë ofrojnë ata. Por, ne jemi të obliguar të falënderojmë Zvicrën. Zvicra i ngriti dhe u dha rast për të luajtur në kombëtare, që të krijojnë profilin. Aktualisht, Xhaka, Shaqiri apo Behrami luajnë nëpër klube të mëdhenj. Shikoni, futbollistët shqiptarë në ekipin e ish Jugosllavisë asnjëherë nuk e patën ndonjë rast për tu dëshmuar. Futbollistët zviceranë për Shqipërinë janë ambasadorë të rëndësishëm. Në të kaluarën, shqiptarët nuk kishin nam të mirë dhe mu për këtë, futbollistët shqiptaro-zviceranë kanë një domethënie të pakrahasueshme.
St. Galler Tagblatt: Në anën tjëtër qëndron Shqipëria e cila në kuadrin e saj ka shtatë lojtarë që janë të pajisur me pasaportë zvicerane.
Bashkim Iseni: Kombëtarja shqiptare është e rekrutuar kryesisht nga diaspora. Ata janë fëmijë të migrantëve apo refugjatëve, të cilët janë rritur e trajnuar në Gjermani, e posaçërisht në Zvicër. Më parë është thënë se Shqipëria do të ketë dy ekipe në KE, por edhe anasjelltas. Edhe Zvicra në Francë do të ketë dy ekipe në fillim.
St. Galler Tagblatt: E çka do të thotë ndeshja e së shtunës për Shqipërinë?
Bashkim Iseni: KE Për Shqipërinë është një rast historik, me të cilin do të prezantohet në skenën ndërkombëtare. Kjo është diçka e re për këtë vend të vogël, të panjohur e të shtypur për një kohë të gjatë. Duke i falënderuar KE, Shqipëria ka fituar vëmendje. Për këtë, ne kemi pritur kohë të gjatë. Shpresoj se do të përfitojmë nga pjesëmarrja në KE, duke marrë parasysh se Shqipëria në aspektin turistik mund të ofrojë shumëçka.
St. Galler Tagblatt: Për gjashtë lojtarët shqiptaro-zviceranë do të jetë speciale të luajnë kundër vendlindjes së tyre.
Bashkim Iseni: Nuk do të doja të jem në lëkurën e tyre, pasi janë nën presion. Posaçërisht kur pyeten: Për cilin shtet luani? A je shqiptarë apo zviceranë? Për këta të rinj, janë pyetje të papërshtatshme.
St. Galler Tagblatt: Një situatë të cilën ju plotësisht e njihni?
Bashkim Iseni: Unë plotësisht e kuptoj situatën. E njoh kulturën shqiptare, por tashmë kohë të gjatë jam duke jetuar në Zvicër. Për dallim nga futbollistët, unë nuk duhet të përcaktohem për ndonjërën palë dhe për këtë jam i lumtur.
St. Galler Tagblatt: Me Taulant dhe Granit Xhakën, do të ballafaqohen dy vëllezër. Si vlerësohet kjo në familjet shqiptaro-zvicerane? A ekzistojnë kosntelacione të shumtë, në të cilët njëra pjesë e familjes përkrahë Zvicrën, ndërsa pjesa tjetër Shqipërinë?
Bashkim Iseni: Një situatë e tillë ekziston në secilën familje. Tek secili shqiptar që jeton aktualisht në Zvicër, qëndron koflikti. Në një gjoks rrahin dy zemra. Por, konflikti pasqyrohet vetëm në fushën e sportit. Mu ashtu siç deklaruan vëllezërit Xhaka. «Ne jemi vëllezër, por kundërshtarë në fushën e futbollit».
St. Galler Tagblatt: Dorën në zemër, me siguri për ndonjë ekip do të bëni tifo më shumë.
Bashkim Iseni: Unë jam i lumtur për mbrëmjen e sotme. Për mua është me rëndësi dhe primare që të festohet. Pra, nuk është me rëndësi se si do të rrjedhin ngjarjet, unë vetëm mund të fitoj.
St. Galler Tagblatt: Dhe, kush do të fitojë?
Bashkim Iseni: 2:1 për Zvicrën. Ajo është më me përvojë dhe teknikisht më e aftë. Por, nuk duhet ta nënvlerësojnë motivimin e Kombëtares shqiptare, pasi ata do të bëjnë çmos.