Austri: Vogëlushja e dëshpëruar kërkon punë për nënën e saj të mbuluar me shami

34 Lexime

15:35:11                  2018-01-27

 

 

 

Një gjest i rrallë i një vajze nga St. Pölteni i Austrisë: Pasi e ëma e saj nuk po mund të gjejë punë dhe personalisht është e detyruar ta ushqejë familjen, vogëlushja tani është angazhuar t`i gjejë punë, duke i shkruar Organizatës humanitare Caritas.

Shkrimi i vogëlushes njëmbëdhjetëvjeçare është i hapur dhe i ndershëm, por shkakton trishtim, shkruan „Heute.at“. Familja e saj është duke jetuar që një kohë të gjatë në St. Pölten. Babai i saj është i sëmurë rëndë, ndërsa e ëma një kohë të gjatë pa punë. Më përpara, ajo ka punuar në një restorant si ndihmëse kuzhiniere.

„Tani si asnjëherë më parë, dua ta punësoj nënën time“, kështu ka filluar shkrimin në letrën që ia ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të Caritasit austriak, Klaus Schwertner. Ajo i është drejtuar me një dëshpërim të pashoq, pa dijeninë e familjes, me shpresë se Caritasi do t`i ndihmojë familjes. „Nëna ime mban një shami dhe unë besoj se për këtë arsye, ajo nuk po mund të gjejë punë“, ka shkruar e frikësuar vogëlushja. Sipas Klaus Schwertner, gruaja më parë kishte punuar vullnetarisht si përkthyese.

„Guximi i vajzës duhet të shpërblehet. Për këtë, unë shpresoj se ndokush do ta punësojë gruan. Nuk është patjetër të jetë në gastronomi, por vendi punës duhet të jetë në St. Pölten“, ka vijuar Schwertner, përcjellë „Shtegu.com. Njohuria e gjuhës e të papunësuarës është në nivelin B1.

„Ky rast dëshmon se sa vështirë e kanë shumë prindër të gjejnë punë, që të mund të sigurojnë ekzistencën e familjes“, ka përfunduar sekretari i përgjithshëm i Caritasit, i cili enkas për Shtegu.com pohon se vogëlushja nuk është nga trojet ballkanike. (Shtegu.com)