Familja shqiptare nga Maqedonia, „mbret“ i Instagramit në Zvicër e më gjerë

53 Lexime

23:18:28                2018-01-27

 

 

Ajo është rreze dielli për familjen Aliu. Tuana katërmuajshe ua ka përsosur jetën çiftit shqiptar nga Maqedonia, Xhemi dhe Megi Aliut. Që të dy janë çift i përkryer në Instagram dhe për çdo ditë e pasqyrojnë përditshmërinë me vajzën e tyre të parë.

Që nga 25 gushti i vitit të kaluar, familja është kompletuar. Mr. & Mrs. Aliu, siç paraqiten në Instagram, verën e kaluar u bënë prindër dhe të gjithë ndjekësit në këtë rrjet janë të lumtur me ta. Aktualisht ata kanë rreth 130.000 ndjekës dhe gjithnjë e më tepër janë duke u shtuar. Çifti shqiptar nga Maqedonia me vendbanim në Flawil të Zvicrës, përkundër suksesit të madh në Instagram, është vetëm një familje normale. „Fotografitë tona nuk duhet të jenë të përsosura. Ne jemi ashtu si jemi dhe nuk duam të pretendojmë më tepër“, spjegon Xhemi Aliu.

Për nëntë muaj me radhë ndjekësit kanë mundur të shikojnë rrjedhën e shtatzanisë së Megit. Lumturia për foshnjen e Instagramit ka qenë e madhe si tek prindërit, ashtu edhe te përkrahësit. „Me siguri se do të jeni prindër të shkëlqyeshëm“, kanë komentuar disa adhurues të familjes në Instagram, para lindjes së foshnjes. Më 25 gusht, gjithçka u realizua si është më së miri: Tuana e pa për herë të parë dritën e diellit. Një gjë të tillë natyrisht se e komunikuan të dy prindërit me një foto në instagram. „Xhemi dashti t`i befasojë ndjekësit me një foto të foshnjes“, pohon Megi. „Në shenjë falënderimi për komentet e dashura. Foshnja është pjesë e jetës sonë dhe ne e treguam“, ka shtuar më tej Xhemi.

 

Përditshmëria e familjes Aliu është e qetë dhe e lumtur, në harmoni të plotë. „Ne bëjmë një jetë shumë normale“, pohon Megi. Babai Xhemi punon gjatë tërë javës si polimekanik. Në ndërkohë, Megi përkujdeset për Tuanën dhe amvisërinë. Pas lindjes, ajo mori pushim sa për të shijuar kohën me vajzën e saj. „Gjatë fundjavës, si familje gjithnjë ndërmarrim ndonjë shëtitje, apo në kopsht zoologjik dhe e shfrytëzojmë kohën së bashku“, rrëfen Megi për „Wiler Nachrichten“, përcjellë Shtegu.com. Gjatë shëtitjeve familja Aliu gjithnjë është në fokus të kalimtarëve të cilët e njohin. „Disa nga adhuruseit dëshirojnë të bëjnë foto me ne“, spjegon Xhemi. Bile, ata edhe ndërkombëtarisht janë të njohur. Familja ka ndjekës nga Zvicra, Italia, Gjermania, Austria apo edhe nga Kosova. Edhe në vendlindjen e tyre në Maqedoni, ata janë shumë të njohur. Përkundër gjithë kësaj fame, ata ngelin të njëjtit si edhe më parë. „Nuk jemi të mbyllur, jemi vetën dy persona miqësorë të cilët thjeshtë duan argëtim në Instagram““, deklaron Xhemi.

Gjithçka kishte filluar në mënyrë shumë spontane. Xhemi dhe Megi e krijuan një llogari për familjen e tyre në vitin 2015. Në momnetin që të dy po shkonin për në Wil, Megit i lindi ideja që të incizohen. „E bëmë një video të shoqëruar me një këngë shqiptare dhe ecnim duke u incizuar. Vetëm sa për argëtim, videon e publikuam në Instagram“, deklaron Xhemi duke shtuar: „Pas pak kohësh na pyetën nëse videoja guxon të shpërndahet. Ne pranuam dhe ajo bëri jehonë të madhe. Suksesi nuk mungoi. Papritmas ne fituam shumë ndjekës, absolutisht në mënyrë të papritur“. Por, me Instagram nuk janë duke fituar të holla. Edhe pse duket se gjithçka kanë paraqitur nga jeta e tyre, vetëm mund të mashtroheni. „Ne pasqyrojmë vetëm dy për qind të jetës sonë. E kemi edhe jetën tonë të shenjtë private“, ka vazhduar Megi. Deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur që të shkaktohet zënkë për shkak të Instagramit. „Familja gjithmonë është prioritare, nuk do të lejojmë që për shkak të Instargramit të zihemi“, thotë Xhemi.

Katër muajt e fundit kanë qenë rraskapitës, por prapëseprapë shumë të bukur për të dy prindërit. „Është një ndjenjë e papërshkruar të jesh prind. Natyrisht se ndonjëherë është rraskapitëse, por gjithçka harrohet me një buzëqeshje të Tuanës“, thotë e lumtur Megi. Për këtë vit, çifti nuk ka ndonjë qëllim të madh. „Më me rëndësi për ne është që çdo moment ta shijojmë me Tuanën, sepse koha po kalon shumë shpejt“, vazhdon Xhemi. Gjatë verës, familja do të organizojë një festë për Tuanën në Maqedoni. „I kemi traditat me të cilët organizohet festë e madhe për lindjen e fëmijës së parë“, përfundon Xhemi. Dhe kush e di, ndoshta Tuana së shpejti do të ketë ndonjë vëlla apo motër tjetër. (Shtegu.com)