ANALISTI NEZIRI: KOALICIONI MES ALEANCËS DHE BESA-S, ÇËSHTJE INTERESI DHE JO ÇËSHTJE IDEALI APO AFËRSIE PROGRAMORE
16:07:04 2017-10-18
Koalicioni mes BESA-s dhe Aleancës nuk ka të bëj me çështje patriotike, të idealit apo doktrinës së përafërt politike mes këtyre dy subjekteve. Ky koalicion më së tepërmi është koalicion zori dhe i imponuar nga frika për humbje të disa komunave, kështu ka vlerësuar koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe BESA, analisti Tetovar Xhelal Neziri.
Ai më tej ka shtuar se “Koalicioni i shumë përfolur i ditëve të fundit, mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, është numerik dhe i imponuar nga rezultatet e zgjedhjeve”, që ky koalicion të kishte sukses, duhej të vinte kurorën para zgjedhjeve, dhe jo tani kur iu erdhi veza, të fillojnë të kërkojnë folenë, gjë kjo që të bën të dyshosh në sinqeritetin e këtij koalicioni.
Ka dy lloje koalicionesh: i pari është programor, pra ai që lidhet në saje të afërsisë së programeve apo synimeve, dhe i dyti është numerik, pra që e imponojnë numrat pa marrë parasysh këtu ideale apo ideologji. Koalicioni programor lidhet për interesa të përgjithshme, kurse ai numerik për interesa individuale.
Andaj, vlerësoj se koalicioni ASH-BESA është numerik, i imponuar nga rezultatet zgjedhore. Të ishte lidhur para zgjedhjeve atëherë do të kishte më shumë jehonë dhe me siguri ky koalicion do të fitonte zgjedhjet lokale në pjesën më të madhe të komunave, u shpreh më tej analisti Xhelal Neziri për portalin Tetova 1. (Tetova 1)