Alternativa: Drejtësia selektive detyrimisht prodhon shtet të padrejtë (Video)

52 Lexime

Këto ditë, kur në opinion po zhvillohet debati rreth krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucionet e drejtësisë, që erdhi pas publikimit të aferës “Zhvatja”, nga partia Alternativa thonë se, pavarësisht pozicionimit të sotshëm politik, ata mbeten parimorë në atë që e kanë thënë dhe për të cilën kanë luftuar që nga ditët e themelimit të subjektit – drejtësia selektive është vrasje për shtetin.
“Këtë e kishim thënë qëkur PSP-ja ngrinte akuza për ish drejtues të qeverisë së kaluar, duke i akuzuar disa e duke i mbrojtur disa të tjerë, vetëm sepse ata u bënë të përshtatshëm e të përdorshëm për rrethanat e reja. Madje, këtë vërejtje e kemi ngritur edhe kur gjykatat na dëmtuan rëndë edhe neve si parti, por kjo as atëherë nuk u mor kaq seriozisht. Por, tash të gjithë po binden se drejtësia selektive detyrimisht prodhon shtet të padrejtë. Duke e respektuar prezumimin e pafajësisë, ne nuk duam ta marrim rolin e
gjykatësit, por me këtë rast i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që rastin “Zhvatja” ta shqyrtojë me përkushtimin më të lartë dhe të mos amnistohet askush, çfarëdo funksioni që të ketë. Kriminelët dhe zhvatësit e kanë vetëm identitetin e krimit dhe të zhvatjes. Vendosja e shtetit ligjor dhe të drejtë është parakusht për një shtet që aspiron të jetë anëtar i BE-së dhe ne nuk kemi fare dilemë se këto afera do të ndikojnë keq edhe në agjendën tonë integruese, për çka edhe ne jemi bërë pjesë e kësaj qeverie.
Nisur nga kjo, presim që të gjendet dikush në këtë shtet që ka ndjeshmëri shtetërore dhe që nuk dëshiron që Maqedonia e Veriut nga një storje e suksesit, siç ishte nisur këto dy vite, të shndërrohet në një gropë septike, ku gëlon krimi i organizuar dhe korrupsioni. Me këtë rast e përsërisim qëndrimin tonë se ne e mbështesim ligjin e ri për Prokurorinë Publike dhe jemi për inkuadrimin e Prokurorisë Speciale Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Duke druajtur nga qasja selektive, ne kemi propozuar dhe i qëndrojmë propozimit që një shqiptar/e të jetë drejtuese e Prokurorisë së re për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, kanë thënë nga Alternativa. /Shenja