Algjeriani do t`i paguajë të gjitha dënimet për mbulesë me burka e niqab
Rachid Nekkaz ka të holla. Shumë të holla. Që nga viti 2011, kur Franca ndaloi mbulimin e plotë të trupit dhe fytyrës në opinion, sipërmarrësi franko-algjerian është duke i paguar dënimet për „deliktin“ e tillë. Një gjë të tillë, ky milioner dëshiron ta zbatojë edhe në Kantonin Tiçino, në Zvicër, ku kohëve të fundit u aprovua ligj i ngjashëm me atë francez. Paraprakisht ai do të udhëtojë në Zvicër, më saktësisht në Lozanë dhe Lugano, për të paraqitur arsyet përse ai do të angazhohet në këtë aksion të jashtzakonshëm. Në një intervistë për „Watson“, 43-vjeçari ka zbuluar faktin se sa i zhgënjyer është me Zvicrën. Ai ia ka zënë për të madhe kryetarit të atëhershëm francez, Sarkozy, implementimin e këtij ligji, duke nënvizuar se shkilen të drejtat themelore të komunitetit mysliman. Rachidi gjithashtu e kishte paralajmëriar kryetarin francez, se në rast të implementimit të ligjit, ai do të përpiqet ta neutralizojë këtë ligj, duke i paguar të gjitha dënimet. Të njëjtën gjë, ai synon ta zbatojë edhe në Zvicër.
„Unë gjithnjë kam thënë se jam kundër niqabit në Europë. Kjo nuk është mënyrë ideale për tu integruar e punësuar. Por, unë e përmbaj Volterin, i cili kishte thënë: `Unë nuk pajtohem me atë që keni për të thënë, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tuaj që ta thoni atë`. Në këtë drejtim, unë nuk shoh ndonjë diskurs religjioz, por bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave njerëzore“, ka pohuar Rachidi.
Lidhur me pagimin e dënimeve, ai ka deklaruar se deri më tani ka paguar 1002 dënime në Francë, 252 në Belgjikë dhe 2 në Holandë, që në përgjithësi kap vlerën prej 220.000 eurosh.
Po që se është nevoja, ai është në gjendje të investojë edhe më shumë, vetëm e vetëm që disa vendeve të Europës tu dëshmojë se çfarë domethënie ka demokracia, liria dhe toleranca. „Jam shumë i brengosur që edhe Zvicra është kyçur në këto vende“, ka përfunduar Rachid Nekkaz.
Ai ka lindur në Francë si fëmijë i një emigranti algjerian. Ka përfunduar studimet e Filozofisë në Sorbonne dhe me një Internet-Start-up arriti të pasurohet. Në ndërkohë, ai është i angazhuar në një sigurim për pasuri të patundshme. Në vitin 2013, e dorëzoi shtetësinë franceze, për të marrë pjesë në votimet presidenciale në Algjeri, që ishin mbajtur në vitin 2014. Është i martuar me një shtetase të dyfishtë amerikano-franceze dhe ka një fëmijë.