Aleanca për Shqiptarët, “sprej” BDI-së për pastrimin e saj

59 Lexime

Kanë vazhduar përplasjet mes Aleancës për Shqiptarët dhe deputetit të BDI-së, Artan Grubi. Pasi ky i fundit në seancën e djeshme të Kuvendit i solli një sprej Ziadin Selës për të bërë mbishkrime në Kuvend, por që rezultoi të jetë aromatizues, ASH sot i solli edhe një të tillë. Sipas deputetit të ASH-së, Syrija Rashidi, BDI ka nevojë për aromatizues me qëllim që siç thotë ai, të largoi erën e keqe që kundërmon në mesin e tyre.

Kanë nevojë shumë ata që përmes këtyre aromatizuesve të humbin gjurmët e një arome të keqe që vjen nga e gjithë ajo tash po ndot opinionin dhe nga gjithë ajo që po të dëgjojmë në të ashtuquajtura “bomba”. Unë me të vërtetë jam i habitur me guximin e tyre që kanë pas gjithë kësaj që po ndodhë, akoma dalin dhe flasin”. – theksoi Syrija Rashidi, Deputet i ASH-së

Ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit, kreu i ASH-së, Ziadin Sela, në seancën për emërimin e ministrave të rinj akuzoi pushtetin se po bën presion ndaj aktivistëve të cilët bën grafitë në Tetovë dhe Gostivar. Sela theksoi se nëse edhe njëher ndodh që për aktivitete të tilla arrestohen të rinj, ai do të merr një sprej dhe në Kuvend do të shkruaj “Poshtë BDI. Ikni Fëlliqësira”. Ky paralajmërim i Selës u mor si kërcënim nga deputeti i BDI-së, Artan Grubi i cili nga foltorja i ofroi aromatizues Selës që të shkruaj në muret e Kuvendit. Grubi i kujtoi Selës edhe sulmin fizik ndaj tij më 27 prill të vitit 2017 në Kuvend.

Ku ishe në vitin 2001 për ta dëshmuar atë trimëri që ke në llafe të Demushit? Si shpesh ke fol llafe të mëdha nga kjo foltore, por punët nuk i ke të tilla, ke mbet vetëm llafe. Njëherë e pate rastin me tregu trimëri këtu në Kuvend, por ike dhe i le shokët tu të cilët u ndalën, përfshi kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin. E hëngre dajakun duke ikur, duke i lënë njerëzit mbrapa, e flet për trimëri këtu”. – tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Kjo deklaratë e Grubit nxiti reagime të ashpra në opinion. Figura publike, gazetarë dhe aktivistë dënuan fjalorin Grubit, duke mos kursyer as fjalor urrejtje dhe duke i kujtuar këtij të fundit epitetin që i japin kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe bashkë partiaku i tij Musa Xhaferi. /Alsat/