A do ta fitojnë shqiptarët delegatin e tyre të parë në Saborin kroat ?!
Në Maqedoni janë regjistruar 15 herë më tepër votues se sa për zgjedhjet presidenciale. „Këta janë votuesit e mi. Kanë objekte hotelierike në Kroaci, e kur të përfundojë sezoni, ata shkojnë në Maqedoni“, spjegon kandidati për përfaqësim të shqiptarëve në Kuvendin kroat, Idris Sulejmani
Në krahasim me betejën e dy blloqeve politike kryesore në Kroaci, në njësitë në të cilat do të zgjedhen përfaqësuesit e pakicave kombëtare, është duke u zhvilluar pothuajse e njëjta betejë. Shqiptarët, të cilët deri më tani ende nuk kanë qenë të përfaqësuar në Kuvendin kroat (Sabor), kësaj radhe jënë duke u përgatitur seriozisht në mënyrë që të mposhtin boshnjakët, me të cilët e zgjedhin përfaqësuesin e përbashkët. Malazezët, maqedonasit dhe sllovenët të cilët i përkasin kësaj njësie zgjedhore, prapëseprapë janë autsajderë.
Nga gjithsej 12 kandidatë, tre prej tyre janë paraqitur si përfaqësues të pakicës kombëtare shqiptare: Jonuz Aliti, Ermine Lekaj Prljaskaj dhe Idris Sulejmani. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, Ermine Lekaj Prljaskaj e kishte humbur mandatin përfaqësues për vetëm 74 vota, aq vota sa kishte marrë fituesi, boshnjaku Nexhat Hoxhiç, rezultati përfundimtar kishte qenë 1.628 me 1.554 vota. Në atë kohë, Sulejmanin e kishin rrethuar vetëm 73 votues, pasi fillimisht ai kishte apeluar te të gjithë shqiptarët që kanë shtetësi kroate, të votojnë për Ermine Lekaj Prljaskaj, duke vlerësuar se ajo kishte më tepër gjasa që të hyjë në Sabor. Por, tani Sulejmani, kandidat i Bashkësisë shqiptare të rrethinës së Istrës, do të shkojë me të gjitha forcat, ndërza baza kryesore e tij është në Maqedoni. I linduri në Poreç të Kroacisë, prejardhjen e ka nga Tetova dhe ka arritur t`i motivojë, sipas të dhënave zyrtare, 644 bashkatdhetarë të tij të regjistrohen për zgjedhjet, të cilët gjenden në Maqedoni. Sa për ilustrim, vitin e kaluar në zgjedhjet presidenciale kanë qenë vetëm 44.
„Po, këta janë votuesit e mi. Ata kanë objekte hotelierike në Kroaci, më së shumti në bregdet, e kur të përfundiojë sezoni, ata kthehen në Maqedoni. Kjo mënyrë është më e lirë, që ata të votojnë në ambasadën e Shkupit, se sa në ditën e zgjedhjeve të organizojmë t`i sjellim me autobusë në Kroaci. Në Maqedoni kam krijuar edhe selinë time zgjedhore“, ka deklaruar për „Novi List“ Sulejmani, i cili aktualisht gjendet në një turne nëpër Maqedoni, njofton „Shtegu.com“. Me këtë iniciativë ai ka filluar në vendlindjen e babait Zherovjan, ku të tubuarve iu kishte thënë se zëri i tyre do të dëgjohet në Saborin kroat.
„Edhe disa ditë na ndajnë nga dita historike kur shqiptari i parë do të bëhet anëtar i barabartë i Saborit. Menjëherë do të filloj të mënjanoj barrierat administrativo-byrokratike, në mënyrë që shumica prej jush të cilët keni shtetësi kroate, të mund të punoni dhe jetoni në Kroaci pa kurrfarë problemi“, ka pohuar Sulejmani, që mund të lexohet në ueb faqen e tij. Në te mund të shihet edhe tubimi të cilin e kishte mbajtur në hotelin e Zagrebit „Antunoviç“, në të cilin si i ftuar kishte qenë edhe ish presidenti kroat Stjepan Mesiç.
„Natyrisht se është interesant e dhëna se në Maqedoni janë regjistruar aq shumë votues. Por, kjo më motivon në mënyrë shtesë dhe jam i bindur në fitoren time. Askush nga kandidatët shqiptarë nuk mund të arrijë në dy mijë votues, ndërsa personalisht mendoj se do të arrijê në 2.500 votues, që do të jetë e paarritshme edhe për kandidatët e tjerë boshnjakë“, është optimist edhe më tej Hoxhiç.