Bernë, 2026 – Debati rreth iniciativës së SVP-së «Jo një Zvicër me 10 milionë banorë» po hyn në fazën vendimtare. Më të 14 qershor është votimi. Komisioni për Migracion i Unionit Sindikal të Zvicrës (SGB/USS), pozicionohet si zëri kryesor kritik kundër këtij projekti politik. Sipas këtij komisioni, migrimi nuk përbën një krizë, por është normalitet, një përditshmëri e jetuar dhe motori i Zvicrës, ndërsa fakti që njerëzit kalojnë kufijtë për të jetuar dhe punuar këtu shihet si pjesë integrale e historisë së suksesit të vendit.

Më 14 qershor, votuesit zviceranë do të vendosin për iniciativën e SVP/UDC-së, e cila parashikon masa kufizuese të rrepta në fushën e azilit dhe në bashkimin familjar sapo popullsia të arrijë pragun prej 9.5 milionë banorësh. Sipas Komisionit për Migracion i Unionit Sindikal të Zvicrës, ky projekt maskohet si një iniciativë për qëndrueshmëri, por në të vërtetë përfaqëson një sulm frontal ndaj të drejtave, dinjitetit dhe ekzistencës së punëmarrësve e veçanërisht të migrantëve. Sindikatat paralajmërojnë se masat do të prekin kryesisht qëndrimet me leje më të sigurta të qëndrimit mbi 12 muaj. Duke ndarë migrimin me kufizime për qëndrime mbi 12 muaj dhe atyre pa kufizime nën 12 muaj, model ky tejet i ngjashëm me ish-statusin e punëtorit sezonal, krijohet një shtresë e punëtoreve pa të drejta. Sipas Komisionit për Migracion i Unionit Sindikal të Zvicrës, kjo do të nënkuptonte një jetë në pasiguri të përhershme, një varësi ekstreme nga punëdhënësit si dhe një rrezik të shtuar për shfrytëzim, dumping pagash dhe diskriminim në vendin e punës. Kryetari i Komisionit të Migracionit në USS, Hilmi Gashi, e cilëson këtë nismë si tejet të dëmshme dhe deklaron se SVP-ja po sulmon frontalisht përparimet e arritura për migrantët, duke prekur edhe themelet e punës sindikale. Sipas tij, kjo iniciativë nuk zgjidh asnjë problem, përkundrazi i përkeqëson ato, duke mbetur thjesht një politikë simbolike mbi kurrizin e migrantëve, familjeve të tyre dhe me pasoja për të gjithë punëtorët.
Bashkimi familjar në shënjestër të SVP/UDC
Një pikë mjaft e ndjeshme e debatit mbetet bashkimi familjar, duke qenë se 51% e migrantëve migrojnë për arsye familjare. Dobësimi deri në shfuqizim i planifikuar i kësaj të drejte dhe prishja e marrëveshjeve ndërkombëtare po kritikohen ashpër. Sipas Komisionit për Migracion i Unionit Sindikal të Zvicrës, një politikë e tillë e SVP-së rrezikon të ndajë familjet me dhunë dhe rikthen kujtimet e kohëve më të errëta të statusit sezonal, kur fëmijët rriteshin pa prindër ose nëse vinin në Zvicër të fshehur nëpër banesa si fëmijë të dollapit, pa qasje në shkollë dhe shoqëri. Përfaqësuesit e punëtorëve argumentojnë se iniciativa po e përdor migrimin si «fajtorë» për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e politikës borgjeze. Sipas Komisionit për Migracion i Unionit Sindikal të Zvicrës, problemet aktuale si mungesa e banesave me qira të larta, presioni mbi pagat dhe trenat e mbingarkuar nuk janë faji i migrantëve, por janë rezultat i faktit që politika borgjeze ka refuzuar prej vitesh të investojë në banesa me çmime të përballueshme, në mbrojtjen e pagave dhe në infrastrukturë. Lidhur me këtë pikë, Hilmi Gashi shton se ndërkohë që njerëzit vuajnë nga rritja e madhe e premive të sigurimit shëndetësor, qiratë po gllabërojnë shtresën e mesme dhe pagat reale po stagnojnë, SVP-ja nuk ofron zgjidhje, por vetëm «fajtorë», duke zotëruar mirë lojën e shpërqendrimit me drejtimin e gishtit nga të huajt në vend që të marrë përgjegjësi për pasojat e politikës së saj dhe partive simotra borgjeze.
Thirrje për solidarizim
Sindikatat paralajmërojnë gjithashtu se përçarja e punëmarrësve sipas origjinës do të dobësonte përfaqësimin kolektiv dhe do të dëmtonte pagat e pensionet e të gjithëve. Si kundërpërgjigje ndaj asaj që e quajnë ksenofobi e SVP-së, ata propozojnë një vizion social dhe solidar të politikës së azilit. Sipas Komisionit për Migracion i Unionit Sindikal të Zvicrës, zgjidhjet reale kërkojnë investime në banesa të përballueshme, kontrolle të rrepta kundër dumpingut të pagave, zbatimin e kontratave kolektive të punës si dhe të drejta të barabarta e mbrojtje për të gjithë. Në përfundim, kryetari i komisionit, Hilmi Gashi, lëshon një thirrje të qartë për mobilizim, duke theksuar se sindikatat i përgjigjen përçarjes me solidaritet dhe se kushdo që dëshiron të mbrojë të drejtat, pagat dhe pensionet, duhet të shkruaj një Jo të qartë në fletën e votimit më 14 qershor.

