„Luanët“ e detyrojnë familjen shqiptare ta lëshojë vendlindjen!
Tre të shtëna që i shkatërruan jetën e mëparshme.
Një familje shqiptare nga Maqedonia ishte arratisur nga vendlindja, pasi mafia vendase i kishte kërkuar të holla duke shtënë me armë në drejtim të tyre. Aktualisht, ajo është duke jetuar e lumtur në Höchenschwand të Gjermanisë.
„Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës që jam duke jetuar në këtë pansion të „Haus Ursula“, ka deklaruar Besnik Demiri, i cili me bashkëshorten e tij, me vajzat 17 e 19 vjeçare si dhe me të bijtë 7 e 4-vjeçar, janë duke banuar këtu që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar. Fshatin e Höchenschwand ai e vlerëson si shumë të bukur, të sigurt e të qetë, në të cilin familja e tij është integruar shumë mirë. Paraprakisht, ata kishin banuar në një strehimore në Waldshut. Edhe atje kishte qenë mirë, por nuk kishin mundur dot t`i përballojnë problemeve me drogë dhe alkool. Mu për këtë, ata ishin gëzuar për zhvendosjen e tyre, por edhe për shkak të shëndetit më të mirë të djalit të tyre të vogël, i sëmurë nga astma. Në pyetjen e të përditshmes gjermane „Badische Zeitung“ përse ishin arratisur nga Maqedonia, me ndihmën e vajzës së tij 17-vjeçare e cila i ndihmon në përkthim, Besnik Demiri rrëfen: „Në Maqedoni ekziston një grup mafioz me emrin `Luanët`, të cilët një ditë, pa kurrfarë arsye, ishin futur në shtëpinë e tyre për të kërkuar të holla. Herën e parë, ai u kishte dhënë ca të holla, por kur për herë të dytë, ata i kishin kërkuar 20 mijë euro, ai nuk i kishte duruar më presionet, duke iu drejtuar policisë e cila nuk i ndihmoi aspak. Bile, mbrëmjen e 20 janarit të vitit 2012, vetëm disa metra larg shtëpisë së tij, ai kishte qenë cak i tre të shtënave me armë nga dy persona të maskuar. Dy plumba e kishin goditur në bark dhe një në këmbë, ndërsa djali më i madh dhe vajza e tij e kishin gjetur të shtrirë përtokë. Dyzetetetë orë ai kishte qëndruar në komë në një spital. Që nga ajo ditë, fëmijët e tij kanë jetuar me frikë, duke mos guxuar as edhe shkollën ta vijojnë, pasi është dashur që të udhëtojnë nëpër terr. Disa ditë pasi lëshohet nga spitali, ai pranon përsëri kërcënime nga grupi mafioz, të cilët kësaj radhe e kërcënojnë me zhdukjen e tërë familjes. Pasi nuk ndjehej i sigurt nga mbrojtja policore dhe Ministria përkatëse, me bashkëshorten e tij kishin vendosur që të braktisin Maqedoninë. Deri në atë kohë, ai kishte jetuar në mënyrë të shkëlqyeshme, pasi 16 vite kishte punuar në një agjenci udhëtimesh, 11 prej të cilëve si i pavarur. Fillimisht, ai ishte vendosur në Zvicër e më pas në Gjermani, pasi sipas tij, në Gjermani kushtet janë shumë më të mira se në Zvicër, ku veten e kishte ndjerë si i burgosur. Kthimi në Maqedoni, do të shndërrohej në zhdukje të familjes së tij, pasi mafia do ta përcillte në çdo cep të Maqedonisë. Për fëmijët e tij, ai ka dëshirë që ata të integrohen në Gjermani, të mund të qëndrojnë në Höchenschwand dhe në fund, nga koka e tyre të zhduket frika. Deri më tani, familjen e kanë ndihmuar Kisha katolike dhe „Caritas“ dhe për këtë, ai është shumë mirënjohës. Shtegu.com