Zvicra ua merr të hollat refugjatëve
00:07:25 2016-01-16
Zvicra i detyron refugjatët të marrin pjesë në kostot e shpenzimeve për procedurën e azilit. Sipas një raporti të televizionit shtetëror zviceran SRF, pas arritjes në Zvicër, refugjatët duhet t`i dorëzojnë të gjitha pasuritë që e tejkalojnë shumën prej 1.000 frangash zvicerane. Kjo është e rregulluar sipas Ligjit për refugjatë. Pas arritjes në Zvicër, refugjatët duhet t`ua dorëzojnë autoriteteve të gjitha pasuritë që e tejkalojnë shumën prej 1.000 frangash zvicerane (rreth 900 euro). Me këtë, shteti zviceran i detyron refugjatët që të marrin pjesë në kostot e qëndrimit të tyre në Zvicër. Sipas medieve zvicerane, një gjë e tillë është e rregulluar me Ligjin për refugjatë, njofton „Shtegu.com“.
TV SRF informon se gjatë arritjes në Zvicër, një refugjat ka pasur 2.400 franga me vete. Gjatë emisionit në këtë televizion, ai ka pohuar se policia e ka kontrolluar dhe e ka arrestuar. Më në fund, policët i kanë marrë rreth 1.400 franga dhe i kanë dhënë një vërtetim përkatës. Sekretariati shtetëror për migrim në Bernë, e ka vërtetuar këtë praktikë të përgjithshme. Ligji parasheh që refugjatët të marrin pjesë në kostot e procedurave të azilit dhe të ndihmave sociale, sa të jetë e mundur. Për shembull, gjatë punësimit të tyre, ata duhet të dorëzojnë dhjetë për qind të rrogës së tyre. Ai i cili brenda shtatë muajsh largohet nga Zvicra, të hollat e deponuara i merr përsëri.