Superkupa “Lajm 2016”: FC “PitPower BBF Company” nga Ferizaji fiton kupën në një mbrëmje spektakolare
13:14:08 2016-01-16
PitPower BBF Company nga Ferizaji dhe Caffe Relax nga Struga kanë dhuruar spektakël në finalen e edicionit të dytë të Superkupës “Lajm 2016” në futsall, duke shënuar plot 5 gola.
Ekipi ferizajas i përbërë edhe me lojtarë nga Maqedonia e ka fituar Superkupën “Lajm 2016” në një mbrëmje spektakulare kundër struganëve, të cilët i mposhtën me rezultat 4-1, në një ndeshje ku ishin të mbledhur numër i madh i shikuesve të futbollit të vogël.
Ferid Agushi dhe Petrovic ishin heronjtë e mbrëmjes, pa mohuar edhe kontributin e lojtarëve të tjerë, dhe me meritë dolën fitues të Superkupës “Lajm 2016”.
Ndeshjet janë zhvilluar në qendrën sportive FIBB Sport në Çellopek të Tetovës, që ishte edhe organizator teknik i edicionit të dytë të Superkupës “Lajm 2016”.
Në turne morën pjesë ekipet fituese të turneve dimërore në sallë që janë zhvilluar gjatë 2015-ës në disa qytete shqiptare të Maqedonisë: Juventus Serova (kampion i turneut në Kumanovë), F.C. PitPoëer BBF Company – Ferizaj (kampion i turneut në Sllupcan-Likovë), Caffe Relaax nga Struga (kampion i turneut në Kërcovë), Sidney (kampion i turneut në Gostivar) dhe KF Besa FIBB Sport nga Çellopeku i Tetovës si organizator teknik i turneut.
Në fillim u zhvillua ndeshja eliminatore mes FIBB Sport dhe Sidney, të cilën e fituan këta të fundit pas ekzekutimit më të mirë të penalltive, pasi në kohën e rregullt takimi përfundoi 2-2.
Në ndeshjet gjysmëfinale, F.C. PitPower BBF Company e eliminoi mbrojtësin e këtij trofeu Juventus Serovën nga Shkupi me rezultat 4-2, ndërsa Caffe Relax nga Struga eliminoi Sidney me penallti, ngase në kohën e rregullt nuk pati fitues.
Në përfundim të ndeshjeve janë ndarë mirënjohje nga Q.S. FIBB Sport dhe kupat për fituesin dhe ekipet pjesëmarrëse. Kësisoj zëvendëstrajneri i reprezentacionit të Maqedonisë, Argjent Beqiri dhe redakori i sportit i gazetës “Lajm”, Reshat Ibrahimi dorëzuan Superkupën për ekipin fitues të F.C. PitPower BBF Company.
Ndërsa, gazeta “Lajm” si organizatore kryesore ndau kupa edhe për katër ekipet pjesëmarrëse në këtë turne: Caffe Relax nga Struga, Sidney nga Gostivari, Juventus Serova nga Shkupi dhe KF Besa FIBB Sport nga Çellopeku, të cilat i dorëzuan: Mensur Jakupi, Xhevdet Dalipi, Izair Fazliji dhe Isa Emurli.
Gazeta “Lajm” i ndau mirënjohje edhe Q.S. FIBB Sport për organizimin e përkryer të turneut në krye me referin e njohur dhe profesorin e sportit, Nasuf Latifi. Edhe referët Isa Emurli, Muzafer Ismaili dhe Jetmir Zenuni ishin në nivelin e detyrës.
Edicioni i tretë i Superkupës së Lajm-it do të organizohet në qytetin e Kërçovës. (Lajm)