Zviceranja ia derdhë një birrë mbi kokë kosovares me shami
Një shqiptare nga Maqedonia duke pritur autobusin në Bernë, për në vendlindje
01:22:56 2016-06-11
Diskriminimi i myslimanëve në Zvicër, ka shënuar ngritje. Sipas raportit vjetor të Komisionit federal zviceran kundër racizmit, armiqësia ndaj myslimanëve gjatë vitit të kaluar është ngritur për 11 për qind. Tre personazhe të cilëve për shkaqe sigurie u është ndryshuar identiteti, rrëfejnë historitë e tyre:
Belinda M., 24-vjeçare nga Lucerni, e rritur në Zvicër, ndërsa me prejardhje nga Kosova që mban shami në kokë si shenjë e besimit të saj. Për shkak të kësaj, në përditshmëri ajo është gjithnjë e diskriminuar. Por, një rast i rëndë i kishte mbetur në kujtime: Mbrëmjen e një të premteje, së bashku me nënën e saj ka qenë duke u kthyer me autobus për në shtëpi. Një zvicerane e re, me të parë shaminë e saj, kishte filluar të pëshpërisë në vetvete, e më pas me gjithë zërin që ka pasur, iu kishte drejtuar: „Në djallë me këtë shami. Largohuni nga këndej ju myslimanë të mallkuar“.
Vajza e re e kishte injoruar vërejtjen e saj, ndërsa nuk kishte pasur ndonjë tjetër reagim nga dikush tjetër. Pasi zviceranja kishte dashur të zbresë, iu kishte afruar asaj duke i derdhur një birrë mbi kokë. „Fillimisht u shtanga, e më pas nuk arrita dot t`i përmbaja lotët“. Më vonë, dy gra të tjera i kishin ardhur në ndihmë, duke i ofruar një peshqir për tu fshirë. „Është përvoja më e hidhur në jetën time qëkur e mbaj shaminë“. Për momentin, ajo i shmanget transportit publik dhe shfrytëzon veturën e saj. Pas kësaj ngjarje, ajo veten e ndjen shumë të huaj në shtetin e saj: „Edhe pse këtu jam rritur e shkolluar, edhe pse këtu kam familjen“, ka pohuar Belinda për „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“.
Berkem S.’ familja e të cilit ka ardhur nga Bosnja, gjithashtu ka deklaruar se shumica e shokëve të tij kishin krijuar një distancë të dukshme nga ai. „Besoj se njerëz me horizont të ngushtë ka gjithandej nëpër botë, prandaj nuk dëshpërohem për këtë“, ka deklaruar Berkemi.
Sami S., algjerien 26-vjeçar nga Badeni, ka rrëfyer se si gjatë kërkimit të një vendi pune, ai është trajtuar si person i një klase më të ulët, pasi iu kishte treguar shefave se me prejardhje është nga Algjeria. Ai është i mendimit se mediet janë duke luajtur një rol negativ dhe jo të drejtë në paraqitjen e fesë islame.