Zvicerani rrëzohet nga vetura në lëvizje, arrestohen një kosovar dhe një shtetas maqedonas

32 Lexime

13:00:27              2016-03-09

 

 

Pas incidentit misterioz në tunelin „Gubrist“ të Zvicrës, Prokuroria e Cyrihut ka hapur një padi penale ndaj dy personave për veprën penale „tentim vrasjeje“.
Mëngjesin e së dielës, një 23-vjeçar ishte rrëzuar nga një veturë në lëvizje. Prokurorja e angazhuar për këtë rast, Patricia Thurner me këtë rast ka hapur një padi penale për dy personat 22-vjeçarë që kanë qenë brenda në veturë. Ajo ka konfirmuar gjatë të martës një informatë lidhur me ngjarjen të „Blick“, njofton „Shtegu.com“. Të akuzuarit, një kosovar dhe një shtetas maqedonas, me vendbanim në kantonet Solothurn dhe Bernë, gjatë të dielës janë arrestuar.

 

 

Edhe më tej mbetet e paqartë se çfarë kë ndodhur në të vërtetë në tunelin „Gubrist“. Deri më tani dihet se një zviceran 23-vjeçar është rrëzuar nga vetura, e cila ka qenë duke lëvizur në drejtim të Bernës. Gjatë kësaj, personi nga Kantoni i Bernës ka marrë lëndime në kokë, të ënjtura dhe plagë të tjera më të lehta.
Sipas hetimeve të deritanishme, vozitësi i automjetit e kishte ngadalësuar shpejtësinë në tunel, rreth orës 04.00 të mëngjesit. Më pas, ishte hapur dera e bashkudhëtarit dhe personi në fjalë ishte rrëzuar. Pas kësaj, vozitësi i automjetit e kishte vazhduar rrugën.

 

 

Veturat që kishin ardhur pas tyre, kishin arritur të frenonin me kohë dhe i kishin ndihmuar të lënduarit, deri në momentin kur ka arritur ambulanca.