Zvicër, shqiptari vrau gruan dhe kunatën, tre fëmijët mbeten jetimë
17:38:16 2018-01-09
Gjatë të hënës, një kosovar 54-vjeçar vrau dy gra në Hausen të Zvicrës, njëra prej të cilave ka qenë bashkëshortja e tij 38-vjeçare dhe një tjetër grua, për momentin ende e paidentifikuar. Tre fëmijët e familjes janë shkollarë dhe tashmë janë nën përkujdesje të entit për fëmijë në Brugg.
Vendngjarja e krimit është në një banesë të godinës në rrugën Stückstrasse në Hausen. Ditën e hënë, kosovari 54-vjeçar aty vrau bashkëshorten dhe një grua tjetër dhe tani gjendet në paraburgim.
Familja në fjalë në këtë banesë sapo kishte ardhur, pasi paraprakisht ka jetuar në Lupfig. Një konstatim të tillë e dëshmojnë hetimet e gazetës zvicerane „Aargauer Zeitung“, përcjellë Shtegu.com. Që të tre fëmijët janë ende shkollarë. Dy nga ta janë duke vijuar shkallën e lartë në Lupfig dhe Ëindisch, më i riu shkollën fillore në Hausen. Sipas informatave të kësaj gazete, fëmijët tashmë janë dërguar në entin për përkujdesje të fëmijëve në Brugg.
Shkollat e lartpërmendura të fëmijëve kanë reaguar në mënyrë profesionale duke organizuar përkujdesje përkatëse për fëmijët. Ata janë informuar për krimin pasditen e së hënës.
Sipas të gjitha gjasave, sipas një informate të „Blick“, duke iu referuar dëshmive të një fqinje, viktima e dytë është motra e bashkëshortes së dorasit. Sipas saj, ajo kishte ardhur nga Italia para pak kohësh duke u vendosur në banesë. Por, autoritetet zvicerane nuk e konfirmojnë këtë lajm. (Shtegu.com)