Zvicër: Arrestohet në taksi një shqiptar me 3,4 kg heroin
17:23:12 2016-07-04
Policia zvicerane, të premten ka arrestuar në një veturë taksi dhe në një banesë në Berikon AG, dy trafikantë të dyshuar të lëndëve narkotike. Gjatë kësaj, janë sekuestruar 3,4 kilogramë heroin. Për aksionin në fjalë, policia e qytetit të Cyrihut, ka koordinuar me policinë kantonale të Aargaut.
Hetuesit e lëndëve narotike nga Cyrihu, mëngjesin e së premtes rreth orës 07.40 h kanë kontroluar një taksi dhe personat në te, shkruan Agjencia telegrafike zvicerane SDA, njofton „Shtegu.com“. Klienti i taksisë, një shqiptar 29-vjeçar, me vete ka pasur 100 gramë heroin dhe është arrestuar menjëherë për hetime të mëtutjeshme.
Në bashkëpunim me policinë kantonale të Aargaut dhe një qeni nuhatës, ata e kanë kontrolluar edhe banesën e shqiptarit në Berikon, duke gjetur edhe 3.4 kilogramë heroin, lëndë të tjera narkotike si dhe një shumë të hollash prej mijëra frangave zvicerane. Në banesë ka qenë edhe njëj shtetas zviceran 47-vjeçar, i cili gjithashtu është arrestuar.