ZONJA TË NDERUARA, JU FALEMINDERIT NËSE NUK I NGACMONI BASHKËSHORTËT

77 Lexime

Malajzia u ka kërkuar grave që t`i lënë bashkëshortët të qetë gjatë karantinës dhe ato të bëjnë më tepër make-up për vetveten. Por, kjo ide nuk u mirëprit aq mirë.

Në përpjekje për t`i lehtësuar tensionet në shtëpi, Ministria përkatëse e Malajzisë ka ndërmarrë iniciativën për t`u dhënë këshilla grave se si të sillen gjatë karantinimit përmes postimeve në Facebook dhe Instagram.

Në veçanti, atyre u kërkohet të „shmangin ngacmimin“ e bashkëshortëve të tyre dhe të mos flasin në mënyrë sarkastike, për t’u kërkuar atyre të marrin pjesë në punët e shtëpisë. Për më tepër, ministria rekomandon që gratë të bëjnë më tepër make-up dhe të vishen mirë edhe nëse ato qëndrojnë për të punuar në shtëpi.

Reagimet e të indinjuarve nuk vonuan shumë. „Kjo me të vërtetë duhet të jetë çështje urgjente“, është shkruar në një koment në Facebook. „Si është e mundur që të veshurit mirë dhe të zbukurohesh në shtëpi, do të parandaluaka koronavirusin, a mund të më thuash?“. „Ne jemi në vitin 2020, duhet të evoluojmë. Dhe t’u kushtojmë më shumë vëmendje çështjeve më të rëndësishme në lidhje me gratë „, vëren një tjetër pjesëmarrës.

Ministria e kuptoi shpejt gabimin e saj dhe të martën e kaluar e tërhoqi fushatën e saj. Ajo pranoi se këshilla e saj mund të ketë ofenduar disa persona dhe premtoi se „në të ardhmen do të qëndrojë e kujdesshme“.