Xhaka: Vështirë të luash kundër gjakut tënd

42 Lexime

10:12:40           2016-02-13

 

 

 

Futbollisti kosovar, i cili është duke i mbrojtur ngjyrat e Borussia Mönchengladbach në Bundesligën gjermane, Granit Xhaka shpreson se Zvicra mund ta fitojë titullin e kampionit Europian në KE në Francë (10 qershor deri 10 korrik 2016). „Përse jo? Natyrisht se ka ekipe të tjera që janë favorite, ndërsa për herë të parë ne nuk gjendemi në mesin e tyre. Me siguri se valixhen time nuk do ta bëj gati vetëm për dhjetë ditë, por për gjithë kampionatin. Me pak fat dhe angazhim të mirë, ne mund ta fitojmë edhe titullin“, ka deklaruar Graniti për „Rheinischen Post“, njofton „Shtegu.com“.

 

 
Në raundin paraprak të kualifikimeve, ekipi i tij helvet do të ndeshet me Kombëtaren shqiptare, kundër vëllait të tij, Taulantit nga FC Basel, i cili do të luajë për Shqipërinë. „Është një situatë shumë e jashtëzakonshme, shumica e të cilëve nuk mund ta kuptojnë. Kjo nuk ka të bëjë as më Shqipërinë e as me Zvicrën, por thjesht, me faktin se duhet luajtur kundër gjakut tim. Por, fundi-fundit, që të dy krenohemi për këtë ndeshje“, pohon Xhaka, prindërit e të cilit kanë migruar nga Kosova, në Zvicër. Kundërshtarë të tjerë në fazën grupore janë edhe Rumania dhe mikpritësi, Franca.