Vrasja në Hausen – flet Riza Demaj: Denoncimi ndaj burrit vetëm se e përshkallëzon situatën

73 Lexime

10:54:40               2018-01-11

 

 

Vrasja e paradokohshme në Hausen të Zvicrës e ka tronditur opinionin zviceran. Çfarë e detyron një person të vrasë bashkëshorten e vet? Riza Demaj nga Suhri është kryetar i Lidhjes së arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë. „Aargauer Zeitung“ ka biseduar me te për mungesën e integrimit, rrezikun e një denoncimi dhe heshtjen në familje.

 

Vrasja e dyfishtë në Hausen të përkujton vrasjen e dyfishtë në Pfäffikon para shtatë vitesh. Atëbotë, një kosovar vrau bashkëshorten e vet dhe drejtoreshën e entit social zviceran. Edhe ky autor për policinë zvicerane ka qenë i njohur për dhunë në familje. Dy muaj para se ta vrasë, ai e kishte lënduar bashkëshorten me një palë gërshërë. Pra, sikurse në Pfäffikon, po ashtu edhe në Hausen ka pasur paralajmërim dhe indikacione. Megjithatë, në të dyja rastet, vrasjet nuk kanë mundur të parandalohen.

 

Në atë kohë, Riza Demaj nga Suhri, kryetar i Lidhjes së arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë, ishte prononcuar në mediat zvicerane për krimin e bashkëkombasit të vet. Me rastin e Hausenit, kujtimet ringjallen.

 

Riza Demaj për gazetën në fjalë ka pohuar se rasti është një tragjedi e rëndë, posaçërisht kur merret parasysh se është vrarë një nënë e tre fëmijëve dhe ata e kanë përjetuar me trauma. „Nga përvoja e deritanishme mund të vërehet se denoncimi nuk e qetëson situatën, por vetëm se e përshkallëzon edhe më tej. Dhe ka të ngjarë që edhe në këtë rast ka qenë situatë e ngjashme. Përmes denoncimit, njeriu ndjehet i pafuqishëm dhe i paaftë“, pohon Riza Demaj, njofton Shtegu.com. Në këtë rast ai është i mendimit se nuk duhet ngutur për denoncimin e ndonjë personi pasi duhet shikuar nëse ka hapësirë të gjetjes së ndonjë mënyre tjetër, që familja ta vazhdojë jetën në qetësi dhe harmoni.

 

Sipas një statistike të Policisë zvicerane të Kantonit Aargau, dhuna në familje ka arritur një përqindje të lartë nga statistika e fundit e vitit 2016. Policia është dashur të intervenojë 1.855 herë, që në krahasim me një vit më parë është rritur për dhjetë për qind. „Në tri raste të intervenimit policor për dhunë në familje, në vitin 2016 është hetuar për përpjekje për vrasje“, ka pohuar zëdhënësi i policisë, Bernhard Graser.

Në analizën e mëtutjeshme të dhunës në familje, janë cekur edhe rastet e mëparshme:

Në vitin 2009, një kosovar vrau bashkëshorten e vet, nënë e tre fëmijëve, me pesë plumba midis rrugës. Vrasësi u dënua me 20 vite burgim.

 

Në vitin 2013, në Lauffohr u gjetë një grua e vdekur në veturë. Më vonë u zbuluar se bashkëshorti i saj turk i kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse dhe ai u dënua me 13 vite e dy muaj burg.

Në vitin 2014, në Wohlen është kryer një krim tjetër i rëndë: Një kosovar 23-vjeçar e theri me thikë bashkëshorten e vet me një thikë 15 cm të gjatë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Ata sapo ishin martuar. Kosovari arratiset, por pasnjë kohe të shkurtër arrestohet në Hungari.

 

Duke nënvizuar faktorët e ndryshëm të gjetjes së ndonjë mënyre që situata të qetësohet, Riza Demaj mëtutje ka spjeguar se në Kosovë femrat zakonisht nuk i denoncojnë burrat në rast dhune, duke heshtur dhe duruar dhunën e ushtruar ndaj tyre. Arsyeja e përshkallëzimit të situatës në Zvicër, sipas Riza Demaj është mungesa e integrimit, prandaj ai gjithnjë apelon tek bashkombasit e vet që të integrohen në shoqërinë zvicerane. Sidomos, duhet respektuar barazinë gjinore, pasi ende ka persona të cilët kanë qëndrim patriarkal nëpër shtëpi dhe që zakonisht sjellin në dhunë apo tragjedi.

Për fund, Riza Demaj pohon se gjenerate e re është duke u integruar në mënyrë të shkëlqyeshme dhe në të ardhmen do të jetë më mirë. (Shtegu.com)