VIDEO: Banorët e fshatit Moranë në hall, tre vjet pa ambulancë
Vite me radhë banorët e fshatit Moranë të Komunës së Studeniçanit, po përballen me mungesë të kanalizimit, infrastrukturës rrugore të fshatit, pa nxemje në shkollën fillore Naim Frashëri, si dhe pa sallë sporti. Fshati ka 450 shtëpi. Banorët kërkojnë nga komuna dhe institucionet e shtetit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje. Sipas tyre, gjysma e fshatit është përfshirë në sistemin e kanalizimit, ndërsa gjysma tjetër ka mbetur pa të.
“Kanalizimin deri këtu afër e kanë sjellur, komunës nuk i intereson me ardhë me shiku çfarë po ndodh”
“Kanalizim s’kemi, kemi punuar me vetinicativë. Problemi vazhdon; era e keqe po vjen”
“Problemi i parë është infrastruktura, partitë nuk kanë forcë të rregullojnë një herë e përgjithmonë këtë fshat. Problemi i dytë është shkolla fillore, e cila i ka kushtet minimale dhe plotëson kushtet që duhet të ndahet më vete, por është në kuadër të shkollës qendrore të komunës sonë. Gjithashtu mungon nxemja qendrore dhe salla sportit”, shprehen banorët e fshatit.
Problem tjetër që u adresua ishte edhe mungesa e ambulancës në këtë fshat. Banorët janë të detyruar që për kontrolle të vijnë në klinikën shëndetësore në qytetin e Shkupit.
“Ambulancë nuk kemi, duhet të shkojmë në Draçevë. Kurrkush nuk po interesohet për banorët; japin fjalë për ta rregulluar, e nuk realizohet”
“Nuk kemi mjekë, është mbyllur, mjekja e cila ishte, shkoi në pension, tash më s’ka zëvendës kush e zëvendëson, e gjithë këta banorë shkojnë në Draçevë edhe në Studeniçan. Barnatore kemi a mjekë nuk kemi”, thotë Sulejman Kurtishi.
Kreu i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, tha se Komuna bën përpjekje për vazhdimin e rrjetit të kanalizimit dhe së shpejti do kryhet kjo pjesë që ka mbetur.
“Komuna deri tash ka realizuar vetëm një fazë të atij projekti. Tani do të bëhet kyçja e amvisërive, ndërsa lagjet e atij vendbanimi kanë për të organizuar dhe për të rregulluar kanalizimin privat. Ne kemi bërë shpallje publike, që e kërkojmë një mjek, pasi banorët e kërkojnë dhe është e nevojshme. Në objektin e xhamisë, në katin e parë është duke u adaptuar një objekt dhe do të jetë gati brenda një muaji, dhe më pas do të kërkohet një mjek që të ketë një kontratë me Fondin Shëndetësor dhe ai problem do të eliminohet”, tha pë TV21, kreu i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
Ky nuk është problemi i vetëm i fshatit Moranë. Banorët kanë probleme edhe me legalizimet dhe përfshirjen e vendbanimeve të tyre në planin urbanistik. Një gjë e tillë i pamundëson disa prej familjeve, që të përfshihen në rrjetin e energjisë elektrike. (Zhurnal.mk)