J’ ai honte (Unë turpërohem)
Sulejman ef. REXHEPI
Terroristët nuk zgjedhin caqe, ata vrasin myslimanë dhe të krishterë bashkë, ata synojnë të mbjellin pasiguri mes të gjithë neve, pa marrë parasysh emrat dhe besimin tonë. Terroristët do të kishin dashur të vrasin njerëzimin, por njerëzimin e mbron Allahu, El Halim, Zoti Tolerant, Ai që na ka krijuar të ndryshëm që të mund të njihemi më mirë dhe ta duam më shumë njëri tjetrin.
“J’accuse“ është letra e hapur e shkrimtarit Emil Zola të cilën ai përpara njëqind vjetësh ia drejtoi presidentit të Francës lidhur me aferën Drajfus. Me kohë, kjo shprehje u bë sinonim për tekstet përmes të cilave shprehet revolta dhe neveria ndaj të këqijave që paraqiten në shoqëri.
Kam akuzuar konkretisht edhe unë vetë duke goditur keqpërdorimet e Islamit nga ana e njerëzve të papërgjegjshëm që me veprimet e tyre po e rrënojnë autoritetin e besimit islam si fe e paqes dhe dashurisë, e shpallur nga Allahu për të gjitha kohët dhe për të gjithë popujt.
Pas tmerreve të djeshme që ndodhën në Paris, unë nuk akuzoj më. Unë po turpërohem. Po turpërohem nga populli francez, nga të gjithë njerëzit qëllim mirë të botës. Në veçanti po më vjen turp nga familjet e njerëzve që vdiqën në Paris sepse nuk jam i sigurt që ata kanë forcë të pranojnë ngushëllimet e mia. Dhe, nuk po ua zë për të madhe sepse jam i vetëdijshëm për dhembjen që po e ndjejnë.
Po turpërohem sepse ajo që ndodhi në Pariz, ishte një bestialitet dhe ai bestialitet po i përshkruhet fesë time. Po turpërohem sepse brutaliteti i pa precedencë i do farë njerëzve të mashtruar dhe do farë shpirtrave të humbur po e diskrediton fenë time dhe fetë nëpër gjithësi sepse po ju mundëson të kënaqen ata që po thonë se “ Bota pa Zot është më e bukur kurse fetë për herë radikalizohen dhe bëhen ekstreme…”
Sot po turpërohen të gjithë muslimanët, ani pse autorët e masakrës në Paris nuk i konsiderojnë si pjesë të veten. Sot, çdo besimtar i sinqertë mysliman ndihet njësoj sikur masakra të kishte ndodhur në Xhide, Kairo, Dubai, Prishtinë, Shkup apo në Tiranë. Dje vdiqën njerëz të pafajshëm, në mesin e të cilëve me siguri kishte edhe myslimanë sepse në Francë jetojnë shumë të tillë.
Nëse diku myslimanët janë të mirëseardhur e të integruar, ai vend është Franca. Nëse diku kanë prosperuar myslimanët emigrantë, kjo ka ndodhur në Francë. Prandaj jam i bindur se ata myslimanë nuk do i kishin keqpërdorur mundësitë e ofruara e as që do e rrënonin atmosferën e tolerancës. Ata myslimanë janë tërësisht të vetëdijshëm se të jetuarit në Evropë nënkupton respektim të rregullave dhe ligjeve që vlejnë në Evropë dhe se arritja e qëllimeve , posaçërisht të atyre që kanë lidhje me fenë, përmes dhunës, është veprim jo civilizues.
Kam frikë se tanimë nuk paraqet asgjë fakti se ne myslimanët (terroristët nuk i konsideroj muslimanë) po e shprehim solidaritetin tonë me viktimat e terrorizmit. Ne mund të jemi të trishtuar nga sulmet në Paris, mund edhe të na mbulojë turpi nga ato paudhësi që ndodhën aty, por dhembja e vërtetë mbetet në Francë dhe gjatë kohë do të jetojë aty, do të djegë kujtesën e njerëzve që i humbën të afërmit e tyre tinëzisht, pa kurrfarë faji dhe pa kurrfarë paralajmërimi. Kuptohet, terroristët veprojnë edhe në Kuds, në Egjypt, në Irak, në Siri e gjetiu. Edhe aty po vdesin të pafajshëm, edhe aty po mbretëron dhembja dhe kjo vetëm dëshmon se bota, pa marrë parasysh proveniencën e keqbërësve, është në hall sepse po përballet me një çrregullim të cilin Zoti nuk e do.
Sidoqoftë, edhe në këto ditë tmerri kur bota, e trishtuar nga veprimi jonjerëzor i terroristëve, po e drejton gishtin kah muslimanët, do ta përsëris atë që është esenciale kur janë në pyetje Islami dhe besimtarët e vërtetë muslimanë:
Islami është e mirë universale që ju është dhënë njerëzve nga Ai që e krijoi dhe e shpalli, dmth. nga Allahu Fuqiplotë. Njëri nga nëntëdhjetë e nëntë emrat e bukur të Allahut është edhe El Halim (Zoti Tolerant). Feja të cilën e ka shpallur Zoti Tolerant, nuk mund të vendoset në rrafsh të njëjtë me terrorizmin, ajo nuk mund të ketë asnjë pikë të përbashkët me terrorizmin dhe umeti mysliman nuk mund të jetë popull terrorist. Ai umet, ai popull musliman, në mënyrë metafizike është i caktuar që të jetë ekumenik dhe i gatshëm për dialog, pikërisht ashtu siç dëshiron Allahu, El Halim, Zoti Tolerant. Umeti mysliman është i vetëdijshëm dhe e di se “ Të marrësh jetën e një njeriu të pafajshëm është barazi me tragjedi kozmike, është sikur të vrasësh tërë njerëzimin” , andaj myslimani nuk guxon t’i lejojë vetes të thyej rregullat që i ka krijuar Krijuesi i botërave.
Terroristët që shkaktuan aq shumë dhembje dhe tmerr në Paris, përfundimisht nuk janë muslimanë, ata janë vetëm vrasës që rastësisht mbajnë emra muslimanësh. Ata nuk zgjedhin caqe, ata vrasin myslimanë dhe të krishterë bashkë, ata synojnë të mbjellin pasiguri mes të gjithë neve, pa marrë parasysh emrat dhe besimin tonë. Terroristët do të kishin dashur të vrasin njerëzimin, por njerëzimin e mbron Allahu, El Halim, Zoti Тolerant, Ai që na ka krijuar të ndryshëm që të mund të njihemi më mirë dhe ta duam më shumë njëri tjetrin.
Por, gjithsesi,unë turpërohem për shkak të Parisit, po turpërohen të gjithë myslimanët për shkak të Parisit.
J’ ai honte