Vehabistët e detyrojnë kosovarin të luftojë për Shtetin Islamik, Gjermania nuk i beson
Ahmet Shala, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët e tyre gjenden para dëbimit për në Kosovë. Enti gjerman i të huajve nuk është duke i besuar se ai do të rekrutohet dhunshëm për ISIS-in. Por, edhe nëse po, ai duhet të gjejë një vend të fshehur në Kosovë.
Vallë, a është duke gënjyer Ahmet Shala apo jo? Përgjigjja në këtë pyetje është vendimtare për ardhmërinë e kosovarit 44-vjeçar dhe familjen e tij. Enti federal gjerman i migrimit është i mendimit se një gjë të tillë Ahmeti e ka sajuar personalisht, duke ia refuzuar kërkesën për azil. Në fund të dëgjimit të tij informativ, më një korrik të këtij viti në Mynih, nëpunësja gjermane e entit i ka thënë:: „Unë nuk ju besoj në këtë rrëfim“. Në fillim të muajit shkurt, Ahmeti ishte arrtisur nga Kosova. Me bashkëshorten dhe fëmijët e tij, djemtë 16 e 12-vjeçarë dhe vajzën dhjetëvjeçare, përmes Hungarisë e Austrisë, ai kishte arritur në Bavari të Gjermanisë. Shkaku i arratisjes, sipas tij: Vehabistët fanatikë kanë dashur ta rekrutojnë me dhunë për milicë terroristë të „Shtetit Islamik“. Tashmë, familja është duke pritur në Dachau për tu dëbuar.
Bashkëshortja e Ahmetit, Arieta, ka humbur në peshë dhe tani ajo peshon vetëm 46 kilogramë. Tash disa javë ajo nuk nxjerr zë nga goja. Ajo nuk e kupton asnjë fjalë nga ajo që flitet për te dhe gjithnjë shkrehet në vaj. Para tre javësh nervat iu kishin dobësuar, duke u alivanosur në një qendër humanitare. Ate dhe bashkëshortin e saj, një mjek i kishte shpallur si të paaftë për udhëtim, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi gjatë dëbimit, autoritetet gjermane mund ta shoqërojnë familjen me ndonjë mjek. Edhe ate deri në kufi, më pas familja Shala nuk do të ekzistojë për shtetin gjerman.
Zyrtarët komunalë në Dachau e kanë siguruar avokatin e familjes, Felix Brieseneck, se aktualisht nuk është planifikuar dëbimi i saj. Gjykata i ka shqyrtuar kërkesat e tyre në dy lëndë të ndara, njëra për Ahmetin, ndërsa tjetra për pjesën tjetër të familjes. Sidoqoftë, policia gjermane në çdo kohë mund të vijë pas Ahmetit dhe ta dëbojë për në Kosovë, bile pa u përfunduar shqyrtimi i lëndës.
Duke e shqyrtuar hollësisht gjendjen e familjes, „Süddeutsche Zeitung“ shkruan se gjatë dëgjimit të tij të parë, më 6 shkurt të këtij viti, Ahmeti kishte deklaruar se shkaku i largimit nga Kosova është gjendja e rëndë ekonomike, në pamundësi për të sqaruar në tërësi situatën, pasi dëgjimi kshte zgjatur vetëm pesë minuta, transmeton „Shtegu.com“.
Ahmed Shala në Kosovë kishte jetuar, si shumica kosovare, nga puna në të zezë. Ai punonte në ndërtimtari, ndërsa merrej ngapak edhe me bujqësi. Në fshatin e tyre, ka një xhami, por Ahmeti shkonte rregullisht gjatë të premteve në xhaminë e Vushtrrisë, e më pas shkonte në treg. Në janar të vitit të kaluar, dy persona e kishin ftuar në çaj e më pas i kishin ofruar 300 euro në muaj, po që se ai falet pesë herë në ditë në xhaminë e fshatit dhe po që se e lëshon mjekrrën.
Një vit më vonë, ai takon përsëri dy vehabistët të cilët i ofrojnë për të shkuar me ta në Siri dhe atje të luftojë. Po që se do të refuzonte, ata iu kishin kërcënuar me rrëmbimin e djalit të madh. Një ditë pas kësaj, familja u largua nga Kosova.
Ahmet Shala nuk dëshiron të kthehet kurrsesi në Kosovë. Vehabistët e kanë me seriozitet shumë të madh, deklaron ai. Gjatë netëve pa gjumë, ai mendon se si të vetëvritet po që se dëbohet. (Shtegu.com)